Alcaraz dëmtohet në Rio dhe rrezikon statusin e numrit 2

Numri 2 i botës në Tenis, Carlos Alcaraz u tërhoq nga turneu “ATP 500” në Rio de Zhaneiro. Spanjolli u dëmtua në kavilje gjatë ndeshjes së parë ndaj Thiago Monteiros, teksa në momentin e ndërprerjes, sfida ishte në barazimin 1-1. Vetë Alcaraz u shfaq shumë i ngarkuar emocionalisht për mediet pas takimit, teksa ende nuk kishte informacion për shkallën e dëmtimit

“Nuk mund të them se sa i rëndë është lëndimi, do të bëj analizat dhe do të shoh nëse është diçka serioze apo jo. Sipas fizioterapistit, nuk duhet të jetë ndonjë gjë serioze. Ai më tha të provoja të luaja disa ndeshje, por ndjeva dhimbje dhe nuk mund të lëvizja siç duhet”, deklaroi tenisti.

Si të mos mjaftojë kjo, 20-vjeçari rrezikon të humbasë edhe vendin e dytë të renditjes botërore, teksa Jannik Sinner është afruar ndjeshëm në klasifikimin e përgjithshëm. Alcaraz ka momentalisht 8805 pikë, ndërsa Sinner 8270, ndaj për të mos lëshuar më shumë terren ndaj kundërshtarit i mjafton të ketë një rezultat më të mirë në turneun Masters-1000 në Uells.

sfidanti.al