Adetokumbo fiton duelin me Lebronin, Miluoki triumfon në LA!

Këto janë ato ndeshje që tregojnë sesi janë vërtet shanset e skuadrave në një sezon. Kur kampionia në fuqi shkon në fushën e një pretendenteje dhe fiton thellë, atëherë nuk ka më diskutime. Këtë bëri Miluoki Baks që triumfoi 131-116 në fushën e Lejkërsave në Los Anxhelos, ndërsa përballë ishin dy yjet e mëdhenj, Lebron Xhejms dhe Janis Adetokumbo. Ky i fundit dominoi ndeshjen duke shënuar 44 pikë, kapur 14 topa në tabela e shërbyer 8 asistë, plus 1 vjedhje topi e 2 bllokime gjuajtjesh. Lebroni nuk ishte edhe aq keq me shifra, ndonëse jo si Janisi. Shënoi 27 pikë, kapi 5 topa në tabela e shërbeu 8 asistë. Kjo nuk mjaftoi, ashtu si edhe 22 pikët e Entoni Dejvisit (9 topa në tabela), 20 pikët e Monkut, kurse Uestbruk ishte dobët me vetëm 10 pikë, 10 topa në tabela e 5 asistë. Tek Miluoki luajtën mirë që të gjithë titullarët, ndërsa stoli shënoi vetëm 16 pikë, por mjaftoi Adetokumbo. Miluoki është në vend të dytë në Lindje shumë pranë Majemit, ndërsa Lejkërsat janë në vend të 9-të në Perëndim (26 fitore, 29 humbje).

Sfidanti.al