Broja “lutet” që të luajë të shtunën ndaj Mançester Junajtidit!

Sot nuk do të jetë në fushë për galopime të tilla. Armando Broja është i dëmtuar për Sauthemptonin, dhe ishte e pamundur që ai ta merrte veten në kohë për sfidën e orës 20:45 në fushën e Totenhemit për Premier Ligën. Sulmuesi i kombëtares shqiptare pësoi lëndimin në gju në duelin e Kupës së Anglisë ndaj Koventrit, dhe trajneri Ralf Hazenhytl pohoi se 20-vjeçari nuk ka mundur të stërvitet me shokët e skuadrës që pas ndeshjes së fundjavës. “Një mëkat për të, – tha tekniku austriak, – sepse ishte në formë shumë të mirë, dhe po përmirësohej çdo javë. Një goditje për ne, por shpresoj që të kthehet shpejt dhe ta mbajë kokën lart”.

Nuk dihet nëse sulmuesi kuqezi do të jetë gati për ndeshjen e së shtunës në drekë, gjithashtu në kampionat, në “Old Traford” ndaj Mançesrer Junajtidit, apo do të kthehet vetëm në 19 shkurt, në duelin kundër Evertonit në stadiumin “Sent Meri”. Broja nuk ishte llogaritur që të luante në Kupë ndaj Koventrit, sepse trajneri Hazenhytl kishte bërë rotacion në ekip, por përballja doli shumë më e vështirë sesa mendohej dhe Sauthemptoni ishte pranë eleminimit. Shqiptari i huazuar nga Çelsi asistoi golin e avantazhit në minutën e 112-të, ndonëse duhet pranuar se merita kryesore për atë rrjetë ishte e shënuesit Kajl Uolker-Piters.

Sfidanti.al