Në kohën që piloti nga Montekarlo kishte mundësi të sulmonte dhe të paktën të qendronte pranë atij të Red Bullit, këshilla nga skuadra ishte që “të mos nxitohej sepse Sergio Perezi mund të ndëshkohet nga komisarët për shkelje të rregullores me makinën e sigurisë”. Sharl Lëklerku nuk provoi më që të parakalonte rivalin i cili e përfundoi i pari Çmimin e Madh të Singaporit me 7.6 sekonda diferencë me ferraristin. Në fund, pas një hetimi, organizatorët e ndëshkuan Perezin me 5 sekonda, gjë që e ndihmoi meksikanin të mbetej 2.6 sekonda mbi Lëklerkun.
Nëse piloti i Ferrarit do të kishte qenë më pranë, ai do të ishte shpallur fitues. Duket se skuadra italiane gjithmonë gabon, siç ka ndodhur shpesh këtë sezon me strategjinë apo me gomat. Të mendosh se këtë herë Red Bulli fitoi me pilotin e dytë, ndërsa Matia Binoto e qortoi Lëklerkun duke thënë se “I konsumoi gomat më shumë sesa duhet”. Gjithsesi, është e 7-ta herë që ky i fundit nuk e fiton garën duke u nisur nga vendi i parë. Verstapeni ka mbi 100 pikë epërsi ndaj Lëklerkut, e po ashtu Red Bulli ka 135 pikë më shumë sesa Ferrari.
Sfidanti.al