Janë fjalë që meritojnë të inçizohen dhe të futen në muzeun e klubit Flamurtari, pikërisht tek pavioni i “mëkateve të futbollistëve”. Dëgjoni se çfarë është thënë pas turpërimit të madh me Besëlidhjen “ e vogël” për Kupë: “ Çfarë është ky ekip? Si thua, o Vasil? Ça bëhet kështu. Nuk po kuptoj gjë”. Sinan Idrizi, njeriu që administron ekonominë dhe jo shpirtin e klubit, duket tepër i dorëzuar, madje i pafuqishëm, për të deshifruar luhatjen kampione të grupit, sidomos në karakter. Fjalët e tij i drejtohen një ikone të Flamurtarit, Vasil Rucit, por edhe sikur të ishin për Zotin e madh në qiell, përgjigja do të ishte e pamëshirshme: milionat nuk e shërojnë dot futbollin, madje, loja bëhet e rrezikshme kur flitet më shumë për to, sesa për vetë topin. Në mesjavë, kur në Vlorë po përjetohej kapitullimi i radhës, po ta shohësh futbollin me sytë e parasë, dukej sikur ishte Besëlidhja ekipi i superpaguar, me autobuz si të Barcelonës, kurse kundërshtari i tyre,Flamurtari, vuante dhe jo luante në fushë, sa pyesje me vete.. kushedi sa muaj kanë pa marrë rrogën…
Fraza e Sinan Idrizit “ nuk po kuptoj gjë, o Vasil”, është si një vetëtimë në qiell të pastër, sidomos kur kujton se disa muaj më parë, e njëjta gojë kishte premtuar se do ta bënte ekipin që t’u shkonte goja lëng edhe në Europë. Me shpresë se do të dukeshin më të bukur në kontinent, e ndryshuan stemën e klubit, meqë brezi i Vasil Rucit me shokë na paska luajtur, deri edhe me Barcelonën, me fanella pa stemë, ndryshuan edhe stadiumin, ndryshuan “lukun” e transportit me autobuzin-robot , por nuk ndryshuan dot ..kokën e futbollistëve. Të atyre që në ndeshjen e fundit e detyruan trajnerin Mezani të thoshte një frazë të helmatisur nga dyshimi: “ Është e pamundur që ne të falim golat para publikut tonë..”. Nga vjen ky Mezani, që thotë se qënka e pamundur të falësh gola, kur në sytë e botës kemi falur tërë portën. Sikur ta dëgjonin në zyrat e futbollit do të qeshin me të, ngaqë akoma nuk e ditka se asgjë nuk është e pamundur në stilin tonë. Bile, një ditë, më saktë një natë në ekran, kur Sinani u pyet për tradhëtinë e vitrinës, në ndeshjen e sezonit të kaluar me Skënderbeun, ka dhënë një përgjigje spektakolare: “ Ju vuani nga amnezia sportive ( kujtesa), sepse unë e ngriva ekipin pas asaj ndeshjeje..” Për ata, që e kanë kuptuar me naivitet, sikur zoti Idrizi i futi në frigorifer gjithë futbollistët për t’i ngrirë, dhe më pas, i fali duke i shkrirë prapë, lind përsëri dyshimi: po këtë herë, pas Besëlidhjes, a do të futen në frigorifer futbollistët e Flamurtarit?
Botuar në gazetën Panorama Sport