Një kampion si ai nuk mund të kënaqet me situatën. Tomas Myler ka shënuar vetëm një gol në 15 ndeshje të Bundesligës, diçka e paimagjinueshme edhe për futbollistë me status shumë më modest sesa ai. Shumë dyshime janë hedhur mbi lojtarin e kombëtares së Gjermanisë, që është hija e atij që ishte deri vjet, dhe po ashtu edhe për të ardhmen e tij nën drejtimin e Karlo Ançelotit.
Myler ka vendosur ta provojë edhe një herë fatin e tij. Ai ka qendruar pas stërvitjes në fushën stërvitore të Bajernit, duke u ushtruar me gjuajtje drejt portës. Pra, ai po bën si të gjithë kampionët e mëdhenj, siç bënte dikur Agim Fagu kur luante basketboll për Partizanin, apo Drazhen Petroviç kur luante po basketboll për Cibonën e Zagrebit, Realin e Madridit, Portlendin apo Nju Xhersin në NBA.
Në ndihmë të tij ishin talenti portugezi, 19-vjeçari kampion i Europës, Renato Sançez, si dhe mbrojtësi amator 18-vjeçar, Marko Fridl. Duke improvizuar aksione, pasime dhe krosime, Myleri 27-vjeçar gjuajti vazhdimisht drejt portës së mbrojtur nga Tom Shtarke. Gjuajtje me kokë, në ajër (vollej), nga distanca. Sulmuesi u mërzit disa herë sepse shënoi vetëm një të tretën e goditjeve.
Sfidanti.al