Barcelona dhe “La Masia” janë një binom i pandashëm, që në kohën kur Johan Krujfi nxiti ish-presidentin Nunjes që të krijonte akademinë më të famshme të botës. Edhe skuadra katalanase që luajti në “Visente Kalderon” për Kupën e Mbretit nuk zbriti në fushë pa talentin e akademisë, të përfaqësuar nga Pike, Zhordi Alba, Sergi Roberto dhe Mesi. Gjithsesi, në Madrid pati një ndryshim të rëndësishëm që kishte 8 vjet që nuk shikohej.
Asnjë nga brezat e “La Masisë” nuk ishte në mesfushën e skuadrës së hedhur në fushë nga trajneri Luis Enrike. Munguan Iniesta e Buskets, ndaj edhe trajneri asturian u detyrua t’u besonte kroatit Rakitiç, argjentinasit Maskerano si dhe Andre Gomesit. Kjo gjë nuk ndodhte që nga sezoni 2007-2008 në kohën e Frank Rajkardit, kur në mesfushë luajtën ndaj Majorkës, Deko, Edmilson e Ture. Që nga ajo ndeshje kishin kaluar 3 187 ditë dhe 511 takime. Vërtet, akademi e fortë kjo “La Masia”.
Sfidanti.al