“Turpi i çiklizmit” ndodhi në Dubai, por jo doping!

Çiklizmi ka qenë dhe mbetet një nga sportet me imazhin më të dëmtuar nga dopingu, sidomos pas historisë së Lens Armstrongut, veç “dyrrotakësit” nuk kanë vetëm problemin e substancave të ndaluara. Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Turin e Dubait, ku një çiklist ka akuzuar një tjetër se e ka goditur me grusht. Akuzuesi është gjermani Marsel Kitel, i skuadrës “Kuik Step Flors”, që kryeson renditjen e garës. Pas etapës së tretë, ai postoi në Tuiter një foto të vetvetes, me fytyrën ku i rridhte gjaku dhe me sqarimin: Unë nuk do të pranoj ndjesë për këtë, kjo nuk ka të bëjë aspak me çiklizmin, ajo që bëri Grivko ishte një turp për sportin tonë”.

Ukrainasi Andrij Grivko, i skuadrës Astana, u pezullua menjëherë nga gara dhe skuadra e Astanës kërkoi falje, diçka që nuk u pranua nga Kiteli. Madje, ai shkruajti edhe një mesazh kërcënues për Grivkon, “kërkova në gugëll (google) informacion për Grivkon dhe pashë se peshon 70 kg, le t’i njohë kufijtë e tij”. Kërcënimi ishte i qartë sepse Kitel peshon 86 kg. Gjermani tregoi se ngjarja e shëmtuar ndodhi në pjesën fillestare të etapës së tretë 200 km të gjatë, kur po kalonin pranë një vendi ku erërat kryqëzoheshin dhe ngrinin rërë. Papritur Grivko e goditi me grusht. Nuk kuptohet nëse kanë pasur ndonjë llogari të mëparshme, apo incidenti është krijuar në garë e sipër.

Sfidanti.al