Vetëm 200 topa futbolli mjaftuan për të qepur gojën e klubeve?

Nga koha e luftës vjen një histori me “Topin historik” , një emër tepër i njohur për ata që kanë kaluar nga bankat e shkollës. Një vend që nderohet edhe sot në Kodrat e Liqenit, nga ku u lëshuan predhat ndaj Asamblesë Kuislinge. Në kohen e paqes, ose më mirë në kohën e futbollit hileqar, ku topi nuk mbushet me predha, por me helm vjen një ngjarje me “Topat historik”. Do të hyjnë në histori, duam apo s’duam ne, ngaqë “shkrepën” për të goditur të vërtetën dhe jo për të thyer themelet prej allçie të Asamblesë së Futbollit. Ka rrezik, sipas zakonit që ka prishur ekuilibrin e vlerave, kjo historia e 200 topave të futbollit, të dhuruar nga FSHF-ja pikërisht në vlagën e tradhëtisë financiare, të mbahet mend më gjatë se historia me topin e luftës. Si  mund të shpjegohet kjo prapësi vlerash?

Kur flitet për miliona, kujtesa jonë është më e freskët, më vigjilente, sidomos kur zhduken në emër të futbollit të moshave. Pikërisht tek ai brez, ku në vend të lojës së hareshme dhe plot entuziazëm të moshës, të shfaqet një lojë e ndyrë ekonomike, me një “ligj” ku trajneri kërkon, mesatarisht,  5 mijë lekë të reja në muaj dhe një Intitucion që lodhet për të krijuar alibinë se paratë e vërteta vijnë nga prindërit dhe jo nga UEFA.

Në ditën  historike të futbollit, kur u godit me 200 topa nga FSHF “godina e së vërtetës”, e cila mbahej në themele allçie, klubet e Superligës kishin 100 arsye për t’u bashkuar për të gjetur çmimin e vërtetë të mjerimit të tyre ekonomik. Si me magji është fikur vala e rebelimit të klubeve dhe të fundit po mbahen pa u dorëzuar Partizani dhe Teuta. Çfarë ndodhi? Mjaftojnë 200 topa, ose “200 petrita” për të rikthyer edhe njëherë letargjinë e klubeve. Jo, jo, që nuk është çështje topash, kjo është si një dhe një që bëjnë dy. Misionarët e futbollit, ata që mbajnë gjallë këtë fukarallëk për kornizë,  kanë shumë meritë pse klubet ndihen më të pavarur kur lypin paratë e tyre.

Kjo është loja që argëton dhe pasuron më shumë pronarët e lojës, kjo është skena e betejës më të pavërtetë, ku turmat shfrytëzohen për të mbushur stadiumet, ndërsa shefat kanë një detyrë më të vështirë..për të mbushur xhepat. Pse qënka kaq e vështirë kur UEFA as nuk do t’ia dijë as për mandatet pa limit të presidentit, as për të kontrolluar paratë që dërgon. Po, po, është mission i vështirë ngaqë nuk ngopesh kurrë…