Edhe pse me mungesat e Carlos Bacca-s e M’Baye Niang në formacion, Milani ka arritur të fitojë në transfertën e Empolit, madje të shënojë edhe 4 gola, ndaj 1 të kundërshtarit.
Një ndeshje me dy tablo për kuqezinjtë. Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll në barazim 1-1, me Lapadula-n që shënoi i pari e Saponara-n që barazoi vetëm dy minuta më pas. Por ishte Empoli në këtë pjesë më superiorë duke pasur edhe disa raste të tjera të pastra për shënim.
Pjesa e dytë e ndeshjes i takoi të besuarve të trajnerit Montella, të cilët bënë lojën, si dhe shënuan 3 gola të tjerë. Suso në minutën e 62 e çoi ndeshjen në 1-2, ndërsa vetëm 2 minuta më pas Costa shënoi autogol.
Në fund ishte sërish Lapadula që vulosi rezultatin e ndeshjes në 1-4, duke shënuar golin e dytë personal në këtë takim.
Kjo fitore e ngjit përkohësisht Milanin të vetëm në vendin e dytë me 29 pikë, 4 më pak se Juventusi kryesues.
Këtë të shtunë u luajt edhe takimi tjetër nga Serie A mes Torinos dhe Chievos, ku vendasit e Mihajlovic fituan 2-1.