Vari kollaren ..futbollit !Presidenti Duka u bën “VAR-in” ..arbitrave

Dikur dëgjonim shprehjen e famshme “ vari kollaren”, kurse në Superligë, mes arbitrave tallen duke i thënë njëri- tjetrit “vare bilbilin”. S’e mbani mend origjinën e batutës “vari kollaren”? E pyeti një djalë i ri doktor Harxhin, përmes ekranit, se si i bëhet kur organi i tij qëndronte i squllur edhe kur duhet të ishte gati për “luftë”.. natën në krevat. Diktori me lezet i tha : Nëse do të varje një xhaketë, do ta mbante dot..ai miku ? As këmishën nuk e mban dot- i tha hallexhiu. I befasuar, doktori ia preu shkurt: “ Atëherë..vari kollaren!”

E dini apo nuk e dini se edhe arbitrat kanë doktor Harxhin e tyre, që i viziton herë pas here, i gjen diagnozën edhe pa i pyetur fare si ku i dhemb. Këto ditë, vetë presidenti Duka, ka bërë një “analizë –pune, kokë më kokë me arbitrat, më shkoqur të themi..u ka bërë “VAR”-in për penalltitë që nuk shkrepin në momentin e duhur dhe për disa të tjera që shkrepin në momentin e ..gabuar!
Dhe sa herë që vjen dita e rrëfimit me “doktor Dukën” , arbitrat ulin kokat se kanë frikë se mos i tradhëtojnë sytë. Ku është parë në botën e futbollit, një president, me titull “profesor” me gradën Honoris Causa, që tamam si një dizenjator i lindur, t’u tregoj arbitrave se kur jepet dhe kur nuk jepet penalltia…

Çohu ti, Meta – i ka thënë arbitrit të njohur Kridenc Meta- na trego pak pse nuk dhe penallti për Laçin në ndeshjen me Erzenin ! Sikur arbitrat të mos e kishin gjuhën e prerë, si skllevërit te piramidat, pasi edhe futbolli ynë është piramidal, Kridenc Metës do t’i plaste e vërteta nga shpirti: “Nuk dimë çfarë uji t’i japim gomarit. Një herë na thonë se ndeshjen do ta fitoj filan ekip, ndërsa pas ndeshjes bëjnë sikur qajnë për humbësin…”

Sfidanti.al