UEFA dhe KAS? Ligji ynë është ftesë për trukim ndeshjesh

Ia vlen të shkruhen dy rreshta në ditën kur Partizani luan në Azerbajxhan në Champions, tri skuadra shqiptare i japin dorën e fundit përgatitjeve për Ligën e Europës, dhe një ditë pasi një revistë britanike boton një intervistë të gjatë mbi trukimet e ndeshjeve, ku përmendet në mënyrë të “privilegjuar” Skënderbeu.

Në një epokë kur industria e basteve ka kaluar 1 trilionë dollarë amerikanë (do të thotë mbi një mijë miliardë USD), Shqipëria ka një ligj të sponsorizimeve që është ftesë e hapur për klubet që të trukojnë. Jemi në 4 për qind njohje të sponsorizimit sportiv, që ulet si detyrim në tatime, ndërsa e kemi thënë shpesh që Kosova e ka 30 për qind, ndërsa Hungaria ndoshta 100 për qind. Kryeministri Rama, njeriu që premtoi disa muaj më parë, se do të merrte “shkopin magjik” për të ndrequr situatën, doli në TV dhe deklaroi se ka informalitet të frikshëm në tatime, pra e hoqi edhe më shumë shpresën për të ndryshuar ligjin e sponsorizimeve në sport.

Askush nuk mund të parashikojë se Partizani, Teuta, Kukësi apo Laçi do të trukojnë apo jo ndeshje, por e kaluara nuk ka nevojë për koment, ndërsa ekuilibri i buxheteve është duke “ulëritur”.

E pra, pavarësisht dënimeve të UEFA-s e të KAS-it, që vijnë vetëm kur je në fazën e grupeve, pjesa tjetër e kompeticioneve kombëtare dhe ndërkombëtare janë “fushë e lirë” për trukime. Në fund të fundit, vjedhja justifikohet nga nevoja, siç ka edhe barcaleta në krahina të ndryshme të Shqipërisë që njihen për këtë traditë!

Sfidanti.al