Nga ai mund të priten këto fjalë, e ndoshta nga askush tjetër në Formula 1. Ljuis Hamilton nuk e harron origjinën e tij, pavarësisht nga rroga prej 40 milionë paundë stërlinash në vit (45 milionë euro), dhe pasuria e tij e madhe në karrierë. Bir i një babai me ngjyrë dhe i një nëne të bardhë, ai u rrit në një familje të thjeshtë, madje me prindër të ndarë, ndërsa sot kur është në majë të “Olimpit” thekson një dëshirë të shprehur më parë.
“Dua një fëmijë të klasës punëtore që të jetë në Formula 1, – tha kampioni në fuqi i botës, – dua që të vijë nga asgjëja, pra që të ketë me vete, vetëm aftësitë e tij, dhe kështu t’ia dalë mbanë”. Më pas, ai shprehet me keqardhje se “me gjithë respektin, sot pilotët vijnë në këtë sport sepse duan të fitojnë shumë para, edhe pse nuk është faji i tyre”. “Babai im më thotë gjithnjë se ne jemi të fundit e një race në zhdukje, që pëlqejmë sportin dhe pasionin, ndaj dua që të vijë sa më shpejt djali i ndonjë punëtori që t’i japë fund këtij mentaliteti të sotëm”.
Sfidanti.al