Turqit i thonë “bujrum” Cikalleshit më shumë sepse foli në gjuhën e tyre, sesa për golin!

Njihet si një nga lojtarët më të mirë të ekipit. Tifozët bëjnë be për kokën e Sokol Cikalleshit, por besohet se do ta duan edhe më shumë sulmuesin e kombëtares shqiptare pas ndeshjes së fundit. Futbollisti 31-vjeçar shënoi golin e vetëm të ndeshjes që Konjaspori e luajti në fushën e Sivasporit në nisje të Superligës së Turqisë, pra i dha fitoren të vetëve, ndërsa më pas refuzoi përkthyesin në konferencën për shtyp. Normalisht, shqiptari ka komunikuar në anglisht, por pas 6 vjetësh në vendin e madh euro-aziatik, u ndje i sigurt. “Këtë herë dua të flas në turqisht”, – tha Cikalleshi, duke lumturuar tifozët, ndërsa theksoi se ishte krenar që ndihmoi Konjasporin për të marrë tri pikët.

Kavajasi konfirmoi formën e mirë që ka kohët e fundit, ndërsa ishte në formacion së bashku me Endri Çekiçin e kombëtares shqiptare, dhe Zymer Bytyçin e Kosovës. Pati festime të mëdha në aeroplan në rrugën e kthimit drejt Konjës, me lojtarët që “e dogjën” për fitoren. Cikalleshi ishte shumë i mirë sezonin e kaluar duke shënuar 8 gola e duke shërbyer 3 asistë në 35 ndeshje të Superligës. Në total, në Turqi ai ka 40 gola dhe asistë ndërsa ka luajtur 126 ndeshje.

Sfidanti.al