A do të guxonte kush të qortonte në këto momente lavdie, heroninën tonë europiane, Luiza Gega? Të gjithë jemi dëshmitarë të “mrekullisë” që ndodhi këto ditë me Luizën, sidomos në botën e çudirave shqiptare! Nga një atlete që i mbijetonte Europës në sajë të heroizmit të saj dhe të trajnerit stoik Taulant Stërmasi, në një heroinë kombetare e mbuluar me dafina dhe me dorëputhje nga politika shqiptare..
Cilat janë tri “gabimet” e Luiza Gegës, të cilat nuk kanë lidhje me garën, pasi ajo vendosi diktaturën nga hapi i pari i garës deri në pengesën e fundit të 3000 metrave? Le t’i marrim me radhë.
Gabimi i parë i Luizës: Ndodhi tamam tek ”stadiumi” i politikës, tek selia e Kryeministrisë, kur zoti Rama bëri një gjest “hyjnor” duke puthur dorën e Luizës, e cila mbeti e shtangur. Pale ata që përjetuan live skenën, nuk i besonin syve, sa u dukej sikur Gega i kishte puthur dorën Ramës e jo e kundërta. Po ku qëndron gabimi? Atletja po të kishte edhe gojën e fortë, siç ka këmbët, do t’i kishte thënë: “ Kryeministër, mos më puth dorën, por këmbët…”
Gabimi i dytë i Luizës: Duke dalë e para në Europë, ajo me të vërtetë u bë frymëzuese për të gjithë, por për brezat e atletikës që do të vijnë ajo nuk kopjohet dot. Luiza kampione e Europës është një rast i rrallë, meriton te studiohet, sepse ajo nuk ka një pistë te vetën ku të stërvitet. Vuan në heshtje gjatë gjithë kohës, vetëm me trajnerin e saj Stërmasi dhe pastaj katapulton në majën e Europës…i ngjitet një “mali ” 3000 metra të lartë, ku pengesat nuk janë vetëm ato që duken në pistë…
Gabimi i tretë i Luizës: Para se të pushtonte Europën, Luiza Gega kur hipte në autobuzin e linjës, “vraponte” edhe në autobus edhe prapë nuk e njihnin. Sapo erdhi me kurorë nga Mynihu i Gjermanisë , e pritën me një veturë luksoze nga ato që përdoren në raste triumfesh, ku nuk mund te mos ndodhej edhe ministrja Kushe. Edhe ajo kampione nga shkalla e lumturisë dhe buzëqeshjes, sa dukej sikur ishte ajo Luiza. Ku është gabimi i atletes në këtë rast? T’u kishte kërkuar “zotave” një nder te fundit :në makinë të ishte vetëm ajo dhe trajneri, madje Taulanti të mbante tiomin e shoferit ,siç kordinuan gjatë garës, ashtu si ka ndodhur në gjithë ditët e bashkëjeteses së tyre sportive…
Sfidanti.al