Tradhëti në “majën e Korabit” për të larguar trajnerin Haxhiu

E mbani mend një frazë të trajnerit të Korabit, Gerd Haxhiu “  Ne duhet t’i falenderojmë futbollistët që na vijnë në stërvitje,  ndërsa ti i kritikon për ndeshjen në Vlorë. Ata  nuk po ushqehen dot,  çfarë mund t’i kërkojmë për humbjen”.  Një frazë që nuk është përtypur dot nga administratori Mëziu,  madje edhe nga presidentët e tjerë, të cilët  pretendojmë nga ekipi më shumë rezultate, kur laku financiar shtrëngohet aq shumë, sa të lidhen edhe këmbët..  E dinë të gjithë se vlonjatët nuk dorëzohen lehtë, madje i  bien  gjoksit  edhe kur duhet t’i biesh sirenës së alarmit, por Haxhiu, nga njerëzit e stolit, tregoi se ishte një prerje ndryshe.  Nuk shënonte Korabi në fushë, por më shumë pësonte, kurse trajneri i saj më shumë shënonte, sesa pësonte.  Dhe fjalët e tij turpëronin më shumë dibranët, sidomos ata që kishin bërë një betim se  halli më i madh i tyre do të ishte topi dhe prapaskenat e tij, dhe jo paratë për të mbuluar tërë sezonin.  Dhe një trajner me bust të lartë, tejet sfidues në shfaqjen e tij, nuk është i pëlqyer nga moda tradicionale.Ndaj, si me porosi, mu në prag të ndeshjes me Skënderbeun, tamam me kampionët,  kanë gjetur momentin kampion për ta  përcjellur. Dhe me çfarë stili injorues?  Me një mesazh të vjedhur  në muzeun e presidentëve:  je i shkarkuar, faleminderit për bashkëpunimin!

Një frazë që ka “prerë” shumë koka trajneresh , duke treguar  se loja jonë e mosmirënjohjes  pasurohet edhe nga ekipet që luajnë për herë të parë në Superligë. Siç duket,  ndofta mund të jetë gjenetike për llojin tonë, kur flitet për shkarkime trajnerësh, askush nuk ka nevojë për mësues.  Edhe pse në fushë tregojmë se jemi të parritur mirë dhe me probleme shëndeti në lojë,  për një dhunti mund të krekosemi  bashkarisht :  ndizemi kur shkarkojmë! Aq sa  s’duhet me dhënë shpjegime publike. Bile,  disa e ekzagjerojnë kur thonë se momenti i shkarkimit të trajnerit  shkakton “orgazmë” tek  një kategori që shijojnë më shumë ndëshkimet sesa përjetimet e tjera.  Ndaj kërkesa publike e Haxhiut për një motivim moral të largimit nga Korabi, u duket si një rrufe në qiell të pastër, si një teke e fundit e një trajneri që luante   pa para,  humbiste me kundërshtarët, por që fitonte me ata sipër kokës.  Me ata që po tregojnë përrallën se  ky Korab nuk e ngjiti dot malin e kampionatit,  jo për shkak të zbythjes  financiare të futbollistëve, por të ideve thumbuese që vinin nga stoli.

 

Gezim Sinemati

Botuar ne Panorama Sport