Luis Enrike zbulon fajtorët e humbjes ndaj Juventusit

Humbja e fundit, 3-0, që Juventusi i shkaktoi Barcelonës, i ka trazuar mjaft ujrat në kampin katalonjas. Kjo humbje, në fakt, nuk do të ishte edhe aq dramatike, nëse do të vinte në një kohë tjetër, kur Barcelona nuk do të kishte rezultate të dobta, kurse, tani, humbjet po ndjekin njëra-tjetrën. Fillimisht, Barcelonën e shkatërroi PSZH-ja në Paris, ndërsa, më pas, erdhi fiaskoja e papritur në Malaga dhe, tani, edhe humbja e fundit, madje e thellë, ndaj Juventusit.

Mediumet spanjollë bëjnë të ditur se, një ditë mbas humbjes në Torino, trajneri Luis Enrike mblodhi lojtarët e vet dhe akuzoi me emër tre lojtarë se ishin shkaktarët kryesorë të saj, Pike, Maskerano dhe Nejmar. Piken, Enrike e kritikoi se mbrojtja që ai kryeson, ishte vendosur keq dhe se përgjegjësia kryesore bie mbi të. Maskeranon ai e kritikoi se bëri, gjatë ndeshjes, shumë gabime individuale, ndërsa Nejmarit i tërhoqi vërejtjen se ai ishte i parrezikshëm gjatë ndeshjes. Luis Enrike po kalon muajt e fundit te Barcelona dhe është e qartë se ai synon që të bëjë gjithçka të mundur që të largohet me dinjitet nga klubi katalonjas.

sfidanti.al