Topave u plas cipa në Vlorë 3 herë, spektakli jepet falas si..topat!

Futbolli ynë është më i bukur në ekrane se në fushën e blertë. Kemi aq shumë emisione televizive sa edhe vetë aktorët që e luajnë këtë sport këtu tek ne, kur shikojnë veten në pasqyrë, pyesin: ore, vërtetë jemi kaq të bukur?! Ditët e sotme fjalët janë pa doganë dhe metafora e ka humbur me kohë kuptimin e vet, kështu që… “o burra, t’i fusim fjalën spektakël, se do të ngjitet me futbollin tonë dhe do të mbetet një tog-fjalësh i pandarë…”.

Po fjala vjen, për një; “Boka – River” çfarë të përdorim nëse “spektaklin” e ka zënë ky futbolli ynë…?! Kulmin, ky spektakli ynë këtë javë e kishte në Kamëz, sepse Skënderbeu kishte lënë në Korçë “ujqërit e dëborës”, duke i ruajtur patjetër për ndonjë rival më “sugjestionues” se Kukësi. Nderkohë, jo të gjithë e dinë që spektaklin tonë e ndihmojnë edhe topat, cipë-fortë dhe cipë-butë, brenda dhe jashtë fushës, me një emërues të përbashkët… Ata janë të gjithë fal(a)s. Kjo u evidentua pikërisht këtë javë, sepse si popull që harrojmë shpejt, mund të na kishte dalë nga mendja që ai sendi i rumbullakët i cili vjen vërdallë në “komandën” e këmbëve të futbollistëve në fushën e blertë është një “bujari” e Federatës tonë, meqë i shpërndan falas në fillim të sezonit.
Ndonëse institucioni që drejton futbollin i fshehu klubeve për një periudhë disavjeçare të ashtëquajturin “fond të solidaritetit”, i paska bërë një nder dhe favor të padëgjuar… i ka dhënë topa pa para’. Por edhe kjo “bujari” e madhe paska qëlluar me hile, sepse topat ndryshojnë cipën në varësi të klubit dhe politikës që ai ndjek me parinë e futbollit tonë. Pikërisht brenda kësaj jave, ku në vend t’i plaste cipa atij topit të sfidës Kukësi -Skënderbeu, topi u ça në stadiumin “Flamurtari”. Madje tre herë brenda 90 minutave të Flamurtari- Laçi. Madje kjo historia e topit të çarë në Vlorë tregohet ndryshe nga “gojët e liga”… Thuhet nën zë, se këtyre që ju plasi cipa, ishin topa sipas moralit të “puthjes të pacipë” në Asamblenë e fundit…

Sfidanti.al