Ndoshta shprehja “humbje dinjitoze” na është bërë shumë bajate, qoftë edhe për faktin se e kemi përdorur shumë shpesh për të justifikuar veten, por humbja e së premtes në Stamboll ishte nga ato që të prish humorin. Këtë rradhë, përballë Kombëtares tonë ishin një grup futbollistësh që kërkonin të fitonte me çdo kusht, shumë agresiv për t’i quajtur “vëllezër”, por me shumë pak fantazi, madje të limituar për nga cilësia. I vetmi avantazh i tyre në atë mbrëmje inkadeshente ishte stadium i zhurmshëm i Fenerbahçesë. Ndërsa për të treguar pse futbollistët tanë nuk kishin pse të largoheshin pa gjë nga Turqia, mjafton të kujtojmë mëkatet e lojës… Manaj shpërdoroi sa herë u gjend përpara portës dhe në fund Strakosha bëri gafën fatale, gjë që ndikoi tek vendasit të qetësoheshin më në fund, pas një yryshi të ashpër dhe të nderonin ushtarakisht, sikur të kishin fituar ndonjë nga betejat e Sirisë.
Por ne u kujtuam shumë vonë për të qenë konkurues në një kompeticion europian, madje këtë e bëmë pas një sërë eksperimentesh që sollën degradimin e skuadrës, një proçes ky që zgjati pothuajse tre vite. Ndërsa pikërisht tani, ndoshta nuk ishte koha e përshtatshme për të bërë skena pas një rezultati teknik të pamerituar, por në të kundërtën duhej vazhduar pa ndjerë presion me rinovimin e skuadrës. Kjo është ajo që na duhet, shumë më tepër se barazimi i Stambollit, që në fund të fundit nuk do të vlentë për asgjë tjetër, përveçse si fshirëse në një dërrasë të zezë të mbushur prej kohësh me zhgaravina. Tani, për hir edhe të skemave më tolerante, në finalet e kompeticioneve të mëdha mund të mbërrijnë edhe skuadra të vogla si e jona, madje pa pasur nevojë për të përdorur marifete. Në një prej grupeve të Ligës së Kombeve, të drejtën për ta fituar kualifikimin në finalet e europianit do ta diskutojnë njëra prej Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Bjellorusisë, apo Gjeorgjisë dhe kushdo që do t’ia dalë në fund do ta ketë për herë të parë një sukses të tillë. Pra edhe ne, për të hyrë tek grupi i normalëve, ndoshta do të na mjaftonte një program i sinqertë rehabilitimi dhe jo show me torta dhe president me tuta e deklarata patriotike.
sfidanti.al