Si vjen puna, dikur thonim se për të mbajtur gjallë një kampionat është ndeshja Derbi, ndërsa në prag të derbit të sotëm, sepse duket sikur është kampionati që po ndihmon të mbahet në këmbë …Derbi i lodhur. Vite më parë, sfida e madhe e futbollit të qytetit, krahasohej me një monument historik të cilit i uleshin të gjithë me respekt, aq sa falnin edhe pabukuri në fushë, vetëm për hir të historisë. Kurse në vitet e fundit, me keqardhje të dukshme, për të hedhur bustin e Derbit kanë kontribuar edhe vetë zyrtarët, ata që kishin arsye ta ruanin si sytë e ballit. Metamorfoza e viteve të fundit e ndeshjes më të e ndezur,asaj që konsiderohej si kulmi i ‘armiqësisë sportive” është shndërruar në një serial ndëshkimesh të pamerituara. Një herë kemi përjetuar një sfidë ireale kur Derbit iu dënuan tifzozet nga zyrtarët, një herë tjetër ,Derbi është “verbuar” në Selman Stërmasi duke u dënuar me errësirë, ndeshja që historikisht jepte..dritë. Po, po një futbolli të lodhur nga këmbët, por jo nga goja. Edhe Derbi i sotëm, për të cilin thuhet se Tirana do të ringjallet me hir e me pahir pas “vdekjes morale” me Kukësin, nuk i shpëton pamjes së pacientit që e mban frymën me oksigjen. Tamam në ndeshjen e jetës, kundër Partizanit, Tirana është e braktisur nga shqisa e saj jetësore, tifozeria.
Deklarata e tyre para sfidës vlen më shumë se çdo rezultat. Ja postimi sfidues në prag të ndeshjes më pikante të sezonit, fjalë tepër të hidhura për ata që kuptojnë dhe i njohin zakonet bardheblu: “Të gjithë bashkë, vetëm për TIRONËN, për atë të basketbollit, dhe jo për “trupën e teatrit” të ish-presidentit. Ne zgjedhim TIRONËN jo TirAnën!”. Ekipi që kishte premtuar se këtë sezon do të largonte imazhin e përkeqësuar ndjeshëm në këto vite, ka theksuar dyfish zhgënjimin kur niveli i ulët në fushë është shoqëruar edhe me tradhëti morale, nga ato që Tirana nuk ia falte kundershtarit e jo më vetes.. Askush, madje edhe ata me imagjinatën më të zezë, nuk e kishin parashikuar se në Derbin e fundit me “demat” do të luanin për arsye kaq të kundërta, Partizani për kampion, ndërsa Tirana për të shpëtuar lëkurën nga turpi i rënies një kategori më poshtë. Pale, kur dëgjon edhe sirenat e kampiontait, që thonë se Tirana do të çohet nga “vdekja” jo vetëm për vete, por edhe për të tjerët, për ata që në gjuhën e futbollit të helmuar quhen aleatë…
Sfidanti.al