E kishte thënë disa herë trajneri Mema se Tirana nuk jeton si të tjeret me aleanca, dhe për fatin e tij dhe për të mirën e së vërtetës, shqyqyr zotit që nuk e tha edhe pas ndeshjes vëllazërore me Flamurtarin.Aty ku 3 golat ishin si një prelud paqeje, në një fund-kampionati ku askush nuk mund të mburret se mbeti i virgjer. Tirana shpëtoi nga turpi i dytë historik, rënia një kategori më poshtë, dhe këto dy javët e fundit kanë qënë të bekuara me gola dhe me “histori sekrete”, ku edhe të zinjtë e sistemit u bëkan të bardhë nga shpirti. Ardi Mema kishte thënë se shefat kanë vite që përkëdhelin vetëm provincat , pa e ditur se fati i tyre do të kalonte si për trill nga..”provinca”. Por, këtë here, mjeshtrat e ruletit te fatit, kanë vënë dorën në zemër për Tiranën, tamam në javët e fundit, madje aq sa i kanë rënë në qafë moralisht Kastriotit. Dhe kjo jo për të nderuar historinë, për të cilën atyre as nuk ua ndjen, por ndihma u bëka ne emër të..biznesit!
Nëse nuk do të ishte Tirana në Superligë, atëhere kur të inagurohet stadiumi i Kullës, më shumë se i Kombëtares, do të kuptonim se përse ‘bien këto daulle”. Të gjithë duan të bëjnë stadiume, edhe topi i futbollit një ditë do të jetë prej betoni, si për të vërtetuar se paskemi qënë mirë kur ishim keq. Atehere, kishim futboll, por s’kishim stadiume, ndërsa tani kemi stadiume ne tokë dhe ne letër, por s’kemi as lojë e as njerëz për t’i mbushur.
Sfidanti.al