Çfarë mendojnë yjet e Bajernit për afrimin e Leroi Sanesë?!

Nuk është aspak e sigurt që ky transferim mund të ndodhë, pasi ana financiare e bën tepër të vështirë. Gjithsesi, tek Bajerni po diskutohet afrimi i mundshëm i Leroi Sanesë, dhe ndër të interesuarit janë vetë futbollistët, të paktën disa prej tyre. “Sport Bildi” shkruan se javën e kaluar kjo ishte temë në “dhomën e zhveshjes” bavareze. A ia vlen të merret Saneja nga Mançester Siti? Si do të jenë ekuilibrat me të në skuadër?

Analiza përfundoi pozitivisht, pasi Sane është një lojtar i ri dhe tepër i talentuar, për më tepër luan në kombëtaren gjermane. Yjet e Bajernit mendojnë se ai duhet të ndryshojë paksa sjelljen, dhe kjo do ta bënte edhe më të vlefshëm. Më në fund, edhe lojtarët e krahut si Kingsli Koman dhe Serg Gnabri, që do ta kenë direkt konkurrent Sanenë, mendojnë se Bajernit i duhet edhe një “turbo” si Saneja.

Për anën financiare flet presidenti Uli Hënes që “rrudh pak buzët”. “Ju më pyesni nëse Bajerni mund t’ia lejojë vetes të shpenzojë për Sanenë? – tha ai, – unë nuk i kam ende shifrat e sakta, por mendoj se është shumë e vështirë. Paketa prej 80 milionë eurosh është e vështirë”. Sane duhej të merrte edhe rrogë të paktën 10 milionë euro në sezon.

Sfidanti.al