Edhe pse na thonë se futbolli nuk ka kujtesë, le të guxojmë të kujtojmë një nga ato perlat që dëgjohen vetëm kur afron Asambleja e Futbollit : Akoma nuk kane lindur ata burra, që të dalin kundërshtar ndaj presidentit Duka! Ndaj, këto 16 vite, ndeshja e votës ka qënë si një ndeshje e trukuar, ku thuajse diheshin edhe minutat e golave që do të sajoheshin në Asamblenë e dorës në allçi. Thuhej me krenari patologjike se futbolli apo vota e topit do ta harbonin përjetësisht presidentin e lindur për despotizëm, burri që ishte aq gjenial sa kishte vënë në një gjumë letargjik edhe ekipin e politikës. Por , të gjithë ,kishim harruar se me politikën nuk mund të shkosh në krevat për shumë kohë, edhe pse në një moment flirti pasionant, tejet gënjeshtar, sapo u kualifikuam në Europian, maja e politikës dhe e futbollit u bashkuan njësh, sa gjatë puthjes pyesja me habi se çfarë dreq pune kishte bërë deri tani De Biazi..
Duket se momenti fatlum dhe i shumepritur ka trokitur edhe pse presidenti Duka dhe ushtarët e tij , kanë filluar fushaten nën zë, serenatën e vjetër të qarjes se politika pa na tradhëton përsëri. Emri i Bashkim Finos, ish-kryeministrit që ka deshmuar lidhjen me gjenetike me futbollin, ka prishur gjumin e Dukës dhe gjithë atyre që mbajnë gjallë me pahir një sistem të dështuar prej vitesh, ku një pakicë argëtohet me top te shfryrë , kurse shumica mezi mbijeton, duke perjetuar vdekjen morale të kolones elitare, kur Dinamo është zhdukur ne zgafellin e poshtem, Tiranën e dërguan me dinakëri në greminë, ndërsa Partizani kryeson listen , bashkë me Flamurtarin, si ekipet më të urryera nga ushtria zyrtare, që jeton “faqebardhë” duke ua nxirrë jetën..
Duka apo Fino? Fino apo Duka ? Futbolli apo politika? Politika apo futbolli? Tani s’ke as kujt t’i qahesh, sepse miqtë e vjetër, ata që na hiqnin lakun në Asamble, francezi Platini apo Vilari, ish-presidenti i Spanjës, kanë humbur pushtetin “absolut” dhe fotot e tyre, që varen akoma ne muret e zyrës së presidentit Duka, duken më shumë si një harresë e tipit hajmali, sesa si mirenjohje…
G.Sineamti