Edhe ti Brut më qëllon me thikë? “Perandori” ynë i futbollit është gati të marrë borxh frazën epike të Çezarit, për t’iu kundërvënë ish-mikut të tij, Igli Tare, fjalët e të cilit këto ditë, ishin si thika që goditen “pabesisht” zemrën e sëmurë të futbollit. Si dikur në lojë, biondi ka dribluar edhe si zyrtar, kur gjatë një interviste paqësore, ku sebep ishte kurora e triumfit si drejtori më i talentuar në Serinë A , ka shpërthyer derën e “blinduar” , pas së cilës qëndron i lodhur futbolli i marrë peng. Fjalët e Igli Tares për ndryshime ne drejtim , të atilla sa mund të quhen qelizëm në tokën e punuar mjerisht keq, apo për fillimin e kurimit nga “lebroza” e topit, nga sëmundja e basteve, janë pagëzuar si blasfemi nga shtëpia hileqare e futbollit, FSHF-ja.
Edhe ti Brut? Nuk pyet vetëm “Çezari”, por i gjithë oborri që nuk ka frikë zërin e Tares, ish- sulmuesit të Kombëtares, frikën e madhe dhe imponuese e shkakton zëri i drejtorit të Lacios, atij që kur nuk e duan i thonë “kuqi”, ndërsa kur jemi në krevatin e dashurisë e quanim “ biondi”. Kuq apo biond, populli i futbollit e ka çmuar si gol të madh, të cilin e priste prej kohësh, reagimin e vërtetë të Tares. Pse e pagëzojmë të vërtetë? Sepse, disa kohë më parë, kur Iglin e pyetën gjatë një interviste telefonike në “Procesin Sportiv” se futbolli po thërret ndihmë, ndihmë se po mbytem, pse djemtë e tij të suksesshëm në “emigrim”, Tare drejtor i Lacios në Itali dhe Eduard Dervishi në krye të Federatës Spanjolle, nuk dëgjojnë thirrjen mbijetuese të tij? E dini cila ishte përgjigja e Tares në atë kohë? “ Kam raporte të mira me Fedaratën dhe drejtuesit e saj..” Shyqyr Zotit që të gjithë tradhëtojmë në “martesën” e paligjshme që kemi bërë me futbollin, sepse ndryshe, 16 vitet e despotizmit apo të lojës ku vetëm njëri e mban topin të fryrë për vete dhe e shfryn për të tjerët, do ta na dukeshin si ..16 ditë.
Sfidanti. al