Kombetarja shtiret, por jemi të destinuar për të mbetur të vegjël

Një skuadër e madhe, e ndërtuar për të fituar dhe një tjetër modeste, kuptohet që kryesisht kanë krijuar diferenca për hir të cilësisë së përbërjes, por sidoqoftë kjo nuk është gjithçka. Edhe sjellja me publikun ndikon shumë, që në sytë e të tjerëve, të dukesh më pas me përmasa të konsiderueshme. Spanja është e madhe sepse fiton natyralisht dhe di t’i thërresë tifozët e saj edhe në këto kohëra delikate të historisë, ndërsa ne, kemi tentuar të tregohemi ndryshe, duke përdorur të gjitha mënyrat e paligjshme, si dhe drejtuesit e futbollit kanë ngritur një barrierë me tifozët, ku në mes i ndan sjellja arrogante dhe një thes me para. Kështu që mbetemi të vegjël. Presidenti Duka i bëri thirrje tifozëve dy ditë më parë, që të vijnë në stadium të shumtë në numër për hir të Kombëtares dhe t’i lënë mëritë me policinë. Por në fakt, nuk ishte kjo arsyeja e vetme e bojkotit të një pjese të tyre, por edhe trajtimi me shpërfillje i institucionit që drejton futbollin, duke nisur nga çmimet e ekzagjeruara të biletave. Eshtë vërtetë fyese që tribuna qëndrore e stadiumit të Elbasanit dhe Shkodrës, prej kohës konsiderohet si pronë e agallarëve të FSHF-së dhe në prag të çdo ndeshje janë ata që i shpërndajnë këtë kategori biletash privatisht, ndërkohë që çmimet janë për të mbajtur larg tifozët e zakonshëm.

Por ne mbetemi të vegjël fare, madje gati të padukshëm edhe për një tjetër arsye. Gjatë ditëve të qëndrimit në Durrës, ambjenti ku ishte grumbulluar skuadra e Panuçit u kthye në një bunker, i rrethuar me gardhe dhe i ruajtur me roje sigurie. Në njoftimin e fundit për mediat, u lajmërua se edhe në Alikante, gazetarët dhe operatorët do ta ndiqnin seancën stërvitore të tanëve vetëm për një kohë të limituar. Pjesa tjetër është ironike, pasi ishte menduar të vazhdohej të punohej në fshehtësi, për të sofistikuar skemat që do të rrëzojnë Spanjën. Ndërsa vendasit janë të mëdhenj dhe si të tillë nuk kanë asgjë për të fshehur, kështu që të gjitha seancat stërvitore i bënë të hapura, pavarësisht periudhës që po kalojnë dhe mbrëmë në stadiumin e Alikantes ishin të pranishëm më shumë se 18 mijë tifozë, pra më shumë se kapaciteti i Arenës tonë të Elbasanit. Ja pse ne do të mbetemi gjithmonë të vegjël, sepse fshihemi, që të tjerët të na shohin sit ë mëdhenj, sit ë rëndësishëm.