Ata që ishin kundër organizimit të Botërorit në Gjirin Persik theksuan një fakt se Katari nuk ka traditë, dhe futbolli atje do të thoshte stadiume të mrekullueshëm në një vend ku mungojnë spektatorët. Shqipëria, nuk na e merr mendja se, mund të krahasohet me Katarin të paktën për historinë, veçse rrezikon të mbetet prapa për tifozët.
Superliga jonë mund të mburret se të paktën disa ndeshje i zhvillon në impiante që mund të quhen vërtet modernë për standardet tona, por që janë si një “kuti bosh” në qendër të qyteteve. Kur ndjek në televizor ndeshjet në “Elbasan Arena” apo në “Loro Boriçi” e sigurt është që syri kënaqet me ngjyrën e stolave dhe të barit të fushës, por aspak me koreografinë apo pamjen e masës së publikut që mbështet ekipin e zemrës.
Nëse në kohën e tij, i ndjeri Myftar Çela ia arriti ta mbushte stadiumin me 15-20 000 tifozë për Vllazninë, presidentët e sotëm, me “metodat e tyre të sofistikuara”, ia kanë dalë për të kundërtën, që të mos lenë këmbë tifozi në stadium.
Sfidanti.al