Tashmë shumica e të interesuarve e ka një ide të qartë, se çfarë është stadium i Strumicës, ku në 5 shtator është vendosur të luhet ndeshja Maqedoni – Shqipëri. Cilësisht i papranueshëm, pasi nuk flitet vetëm për kapacitetin ekstremisht të kufizuar të impiantit, apo kushtet që ofron për zhvillimin e një ndeshje futbolli të këtyre përmasave, por duket qartë që flitet për një ngrehinë ordinere, e cila mezi qëndron në këmbë, me mure të rrjepur, që nga njëra anë kufizohet nga mbeturinat e një gërmalle, si ato që kanë mbetur pas çlirimit të Mosulit. Dihet tashmë, që qëllimi i maqedonasve për ta transferuar ndeshjen ndaj nesh në një ambjent të tillë, nuk ka qenë për të na trishtuar me imazhet sportiv që ofron Strumica, por ai i zakonshmi, për të na sulmuar me histerinë e atyre që do të jenë në stadium, në atë 90 minutësh që nuk do të përcaktojë asgjë në fushë, pasi edhe objektivat e mbetura të të dyja skuadrave tashmë janë modeste. Ata na kanë degdisur për të na lënë në dorë të huliganëve të tyre, për të na fyer, për të na mallkuar si shtrigat.
Dhe në fakt kanë filluar me provat e zërit. Të martën, kampionia e Maqedonisë, Vardari i Shkupit, u ndesh pikërisht në Strumica, ndërsa tifozët e tyre nuk e humbën rastin për të thirrur slloganin: “Një shqiptar i mirë është një shqiptar i vdekur”, por veç kësaj, duke tentuar të ngjiten në lartësinë e historisë së tyre të dhunshme ishin kujdesur të ofronin edhe llojin e vdekjes, që ishte në dhoma gazi. Në fakt, nuk është hera e parë që do të ndodhë dhe në këtë rast nuk kemi pse bëjmë parashikuesin, pasi shembujt ekzistojnë. Dhe për t’u kthyer sërish në Strumicë, a e dini se çfarë i irritoi aq shumë tifozët e Vardarit, për të kërkuar një vdekje për shqiptarët, si në kohën kur Aushvic drejtohej nga Rudolf Hës? Një ndeshje që skuadra e tyre e luante kundër Malmoes, një ekip suedez. Por gjysma e së keqes që nordikët nuk e kuptonin gjuhën e përzierë të komshinjve tanë, pasi ky qytet modest në kufi me Bullgarinë do t’u kujtonte egërsinë e paraardhësve të tyre vikingë, më shumë se 1200 vjet më parë.