Duel gjigantësh për ‘bomberin’ e Kosovës

Bayerni i Mynihut i është bashkuar zyrtarisht Barcelonës në garën për transferimin e sulmuesit kosovar, Fisnik Asllani, i cili po kalon sezonin më të mirë të karrierës te Hoffenheim. 23-vjeçari ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve të mëdha falë paraqitjeve të jashtëzakonshme si në Bundesligë, ashtu edhe me Kosovën.

Sipas raportimeve nga Sky DE, drejtori sportiv i Bayernit, Max Eberl, ka zhvilluar disa takime me drejtuesit e Hoffenheim-it për një transferim të mundshëm të Asllanit. Çmimi i kartonit pritet të jetë nën 25 milionë euro, ndërsa lojtari ka kontratë deri në vitin 2029 dhe përfshin një klauzolë lirimi. Interesi i Bajernit është rritur ndjeshëm pas formës së shkëlqyer të sulmuesit kosovar në fillim të këtij sezoni, ku ai po shfaqet si një nga lojtarët më premtues të Bundesligës.

Sezoni i shpërthimit të Asllanit

Pas një huazimi të suksesshëm tek Elversberg në ligën e dytë gjermane, Asllani është rikthyer te Hoffenheim-i duke shpërthyer plotësisht. Në 12 paraqitjet e para të sezonit në Bundesligë, ai ka realizuar 6 gola dhe ka dhënë 3 asistime.

Formën e mirë e ka transferuar edhe te kombëtarja e Kosovës, ku në tri ndeshjet e fundit si titullar ka shënuar dy herë, mes tyre edhe golin e shpejtë ndaj Sllovenisë, në fitoren 2-0 në Ljubljanë. Pikërisht në atë ndeshje ishin të pranishëm skautë të Bayernit dhe Barcelonës.

Barcelona në kërkim të sulmuesit të ri

Barcelona e Hansit Flick-ut prej muajsh po shqyrton mundësinë për të afruar një numër nëntë të ri, duke qenë se Robert Leëandoëski pritet të largohet verën e ardhshme pas skadimit të kontratës. Interesi për Asllanin është raportuar për herë të parë në tetor dhe skautët katalanas e kanë ndjekur disa herë nga afër lojtarin.

Sulmuesi kuptohet se është i hapur për një transferim të madh dhe Barcelona mbetet destinacioni i tij i ëndrrave. Megjithatë, gjendja financiare e klubit dhe kufizimet e pagave mund të ndikojnë në aftësinë për të mbyllur marrëveshjen.

Gara për firmën e Asllanit intensifikohet

Me Bayernin që tashmë ka hyrë fuqishëm në garë, lufta për Asllanin pritet të kthehet në një nga sagat më të diskutuara të merkatos verore 2026. Hoffenheim-i do të ketë në dorë një nga kartat më të kërkuara në treg, ndërsa Barcelona dhe Bayerni pritet të masin çdo hap për të siguruar shërbimet e sulmuesit kosovar.

Verën e ardhshme, beteja për Fisnik Asllanin pritet të jetë një nga historitë më intriguese të merkatos europiane.

sfidanti.al