Sot loja me votat në UEFA! Nëse fiton Duka , e dënuar është UEFA.. jo ne!

Ta paktën të ishin lejuar bastet vetëm për datën 7 shkurt, ditën kur presidenti i futbollit Duka do të luftojë për jetë a vdekje për të zaptuar një fron në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s. Sikur të kishim mundësi ta shikonim këtë ndeshje në ekran , dhe t’i hynim thellë në përmbajtje, do të kuptonim se arti më i madh i drbilimit nuk është ai i fushës. Këtë herë ka shumë qetësi, nuk janë zbrazur fishekzjarret e triumfit para kohe, sepse herën e parë “ndeshja me fronin” rezultoi ters, me gjuhën e basteve një 2-sh i mallkuar ! Thuhet se e tanishmja është si qetësi para tufanit, nga ato që nuk tregojnë dot se çfarë feste do të jetë kur nga Shqipëria e dënuar sistematikisht nga UEFA, lindi një talent të denjë që t’i ngjitet “Everesitit” zyrtar të kontinentit..
Për hir të së vërtetës, nëse herën e parë kemi qënë në grupin e atyre që festuan humbjen, këtë herë, do të festojmë..fitoren! Pse ky ndryshim i madh shijesh ? Sepse këtë herë do të mësojmë si funksionon skema “shpirtërore” e UEFA-s, një skemë që lë me gojë hapur edhe mjeshtrat e mëdhenj të hilesë taktike. UEFA, kur flitet për klubet shqiptare ka dhënë prova se jemi gjahu i madh dhe i preferuar , apo siç thonë vetë gjuetarët e futbollit, në Shqipëri ka aq shumë “kashfë”.. sa edhe po gjuajte me sy mbyllur, diçka do vrasësh. Por UEFA kur flitet për vota dhe për trukime karrierash , nuk është shpirtlige sa me trukimet e ndeshjeve. Kjo është arsyeja që mezi po presim fitoren e Dukës në UEFA, e cila do të shitet edhe si fitore e Shqipërisë, vendi ideal për t’u lumturuar me fitore të blerë, pa patur frikën e pasojave…
Sfidanti.al