Skënderbeu pret KAS-in apo publiku pret vendimin e KAS-it nga Skënderbeu!

Dy vjet më parë publiku sportiv shqiptar priste një vendim të KAS-it për Skënderbeun. Ishte prag Euro 2016 dhe tifozët ishin të lumtur për suksesin e Shqipërisë, ndërsa vëmendja ishte larg nga fati i klubit korçar. Papritur, u mor vesh se KAS-i e kishte marrë vendimin (përjashtim i ekipit për 1 vit nga Europa, ashtu siç kishte vendosur UEFA), por ai nuk ishte bërë publik në kohën e duhur, por shumë më vonë. Natyrisht, ai vendim ishte dërguar në klub, si edhe në FSHF, por këta e kishin parë të arsyeshme që të mos “nxitoheshin” për të informuar publikun.

Sot, jemi sërish në pritje për një vendim të KAS-it për Skënderbeun, që ka të bëjë me pjesëmarrjen ose jo të korçarëve në Champions. Po bëhet mbi një javë që pritet e pritet dhe KAS-i nuk po vendos. U tha fillimisht që mund të jepej përgjigja në 5 ose 6 qershor, pastaj brenda javës, ndërsa tani jemi në 13 qershor dhe ende asgjë. Hajde ta marrësh vesh nëse KAS ka folur apo jo, pasi KAS nuk është gazetë apo televizion shqiptar që informon publikun në edicionin e lajmeve apo edhe thjesht me informacion “të rrufeshëm”. Mbetet të shihet nëse Skënderbeu vërtet nuk di gjë, apo e di dhe për momentin nuk ka dëshirë ta thotë. Jo për gjë, por koha për shortin po vjen dhe duhen mësuar kundërshtarët, ndërsa Kukësi është në pritje për Championsin, ashtu si edhe Partizani për Ligën e Europës.

Sfidanti.al