Skënderbeu- Kukësi? Më mirë një humbje me nder…

Trajneri Agostineli i Skënderbeut, paska pranuar publikisht se ka gabuar taktikë në ndeshjen me Tiranën, ku humbja provokoi shumë kritika dhe dyshime për virusin që ka prekur lojën e tyre. Një italian ndryshe, sidomos kur kujton stilin “e pafajshëm” të bashkëatdhetarëve të tij, në drejtim të ekipeve tona, në klube dhe më sipër. Askush nuk ka bërë autokritikë, por me krenari, kanë thënë se plagët i gjetën midis nesh dhe nuk shëruan dot.

Në prag të ndeshjes delikate me Kukësin, ku kampionët janë dënuar të fitojnë, kurse Kukësi i dënuar që të mos humbasë, pranimi i recetës së gabuar me Tiranën, duket si një asist me vlerë morale. Në Korçë presin disa përgjigje për ato që kanë ngjarë: oreksi i tyre, tashmë të mësuar prej vitesh, nuk ngopet me pikë, por duan të argëtohen me  lojën si padronë të topit dhe të kampionatit.  Skënderbeu ka përballë Kukësin, që është një kockë e fortë, një amalgamë mes stilit fizik dhe taktikë,  i cili kur udhëton ka një pet tjetër në krahasim me atë që luan përballë tifozit të tij. Fiton Skënderbeu, për të fituar besimin e humbur, apo do të befasojë Kukësi i Gjokës? Sa frazë e papëlqyeshme ajo…edhe barazmimi na punë!