Skema e arbitrave dhe fituesit e futbollit shqiptar

Dikur, para nja 30 vitesh, në Tiranë thuhej se arbitrat ishin ndarë si rajonet sportive të kryeqytetit, kush me 17 Nëntorin (Tiranën), kush me Partizanin dhe dikush me Dinamon. Sot, “harta” e arbitrimit ka ndryshuar, por sërish punohet me skemë. Arbitrat vazhdojnë avazin e vjetër, madje shumë më shpenduar pasi jemi në “demokraci” dhe secili është “i lirë” të bëjë atë që mendon (kupto, atë që i intereson).

Ndaj kemi ekipe që nuk ndëshkohen thuajse kurrë me penallti, kemi lojtarë dhe trajnerë që kur shkojnë në filan skuadër bëhen më të pathyeshëm se Mesi apo Guardiola, ndërsa kur ndërrojnë fanelën sikur harrojnë të luajnë futboll. Në këtë mënyrë, prej vitesh, skema e arbitrave ka përcaktuar jo pak fatin në Superligë, në Kupën e Shqipërisë dhe ata që kualifikohen për në Europë.

Në këtë sezon, mjaftuan 8 javë për të kuptuar se nga anon “kandari”, aq sa lojtari i Flamurtarit, Artim Pollozhani, deklaroi para ndeshjes me Kamzën se “që të na japin neve penallti, duhet që të jetë 200 për qind”. Njëlloj si ish-trajneri vlonjat, Duro me batutën e vjetshme “habia është që na dhanë penallti”! Tjetër çështje ajo, që kur Pollozhani apo Duro ishin apo do jenë në ekip tjetër, dhe penalltinë do ta shohin nga tjetër këndvështrim.

Sfidanti.al