Kur kapiteni Fric Valter dhe shokët e tij dolën në fushë, ata e dinin mirë përse ishin aty. Gjermania Perëndimore, shteti dhe populli më i anatemuar i Europës e ndoshta i botës, priste që djemtë e saj të futbollit t’ia lartësonin emrin atë verë të vitit 1954. Kishin kaluar vetëm 9 vjet nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, nga miliona të vdekur dhe shkatërrimet masive ende ishin aty në rrugët e qyteteve gjermane.
Kombëtarja e futbollit e bëri detyrën dhe shumëkush u habit sesi arriti të mundë superfuqinë Hungari, ekipin e jashtëzakonshëm të yjeve Pushkash, Cibor apo Hidekuti, që kishin harruar edhe vetë kur ishin mundur për herë të fundit. Duhej larguar turpi i fajit të luftës, i gjyqeve të Nyrembergut, dhe fama e padrejtë se gjermanët ishin një popull agresiv dhe militarist. Kështu nisi lavdia e futbollit teutonik, me djemtë e topit që ishin bijtë e popullit të vet, dhe kjo nevojë ishte më e fortë sesa çdo taktikë apo teknikë.
Në një epokë të gjatë, mbi 40 vjeçare, Gjermania doli 3 herë kampione e botës dhe 3 herë kampione e Europës, arriti finalet radhazi në 1954, 1966, 1972, 1974, 1976, 1980, 1982, 1986, 1990, 1992 e 1996. Asnjë ekip tjetër nuk ia doli, madje as vetë Brazili. Gjermania kurrë nuk pati yjet e Brazilit, Argjentinës, Holandës, Italisë, Francës, Spanjës e Portugalisë. As Valteri, Myleri, Bekenbaueri, Magati, Hrubeshi, Hënesi nuk ishin Pele, Maradona apo Krujf, madje as të tillë si Mateus e Klinsman.
Në 1989 e 1990 nisi një epokë tjetër, ndonëse ajo e mëparshmja vazhdoi për inerci edhe disa vjet. Nisi Era e Ndryshimit dhe Gjermania më në fund u ribashkua. Qytetarët e pasur të vendit më të fuqishëm të Europës nuk ndiheshin më si gjyshërit e tyre. Pak nga pak, ata u bënë siç thuhej dikur për anglezët, “stërnipër të ngopur të heronjve të që pushtuan botën”.
Ndoshta tifozëve gjermanë, qoftë në vendin e tyre apo nëpër botë, e padyshim në Shqipëri, nuk do t’u pëlqejë që damari heroik i futbollit të tyre nuk ekziston më. Sot më shumë sakrifikojnë emigrantët dhe të varfërit për futbollin, ndërsa Gjermania vuan ngaqë Bajerni apo Dortmundi janë mbushur me yje të huaj.
Dakord, gjermanët nuk i harruan fitoret. Në 2002 arritën finalen e Botërorit, ashtu si në 2008 finalen e Europianit, por pa qenë dominuesit e dikurshëm, veçse sfidues pa shumë shpresë. i vetmi kulm në gati 20 vjet ishte Kupa e Botës në Brazil në 2014, por kanë kaluar 7 vjet që nga ajo kohë, dhe dominimi nuk është kthyer më. Tifozët kanë shpresë se me Hansi Flikun do të jetë ndryshe, veçse trajneri nuk mundet të krijojë yjet e rinj dhe as domosdoshmërinë për të fituar me çdo kusht.
Sfidanti.al