S’ka futboll, po Partizani bën golin e jetës.. refuzon zarfin-thes!

Futbolli me të vërtetë luhet me top, por kur ndalon topi dhe fillojnë fjalët, duket sikur ngjason më shumë me politikën, ku midis aromave dominon ..hipokrizia. Ç‘nuk do të jepte populli i futbollit që të kishte më pak fjalë dhe më shumë lojë, sidomos kur flitet për kampionate që shquhen nga goja më shumë sesa nga veprat, por gjërat nuk varen më prej tij. Ky sezon futbolli, që reklamohet si gara e rivalitetit që nuk është provuar ndonjëherë, ka një ndeshje që bëhet për topin, në emër të tij, por kronika e fjalëve nuk të degdisë në gjumë. Flitet për duelin e paheshtur midis klubit të Partizanit dhe FSHF-së,  i cili mund të konsiderohet si përplasja e bukur, e  shumëpritur prej vitesh, aq sa nuk beson që një klub të sfidojnë shumën financiare prej 230 mijë euro të ofruar nga..baballarët e portofolit.  Një ndihmë  që kërkon të maskohet në emër të fushave të Akademisë që po bën Partizani, ndërsa në prapaskenë mund të  konvertohet si  një zarf për t’i vënë gishtin kokës dhe më keq…për të ulur mbathjet!

Disa, kur kishin dëgjuar fjalët e shefit të futbollit se “Demin e kishte mikun më të besueshëm ndër presidentët e tjerë”,  nuk kishin pritur të shikonin flamurin e bardhë të paqes midis palëve, por nxituan dhe thanë se “ paraja nuk të bën për burrë”. Pale kur dëgjuan edhe fjalët e Gaz Demit “ Nuk ka dyshim që jemi miq me presidentin Duka”.  Konvertoheshin fjalët e tyre si sinjale që dilnin nga zemra e kulluar e pushtetit, një zemër të cilën e kemi përcjellur me funeral,por, sepse duam të besojmë se është gjallë dhe pulson sipas interesit.  Ajo që ka ndodhur në ditët e fundit, mund të krahasohet me një gol të madh, të paparë dhe pëdëgjuar  nga ndonjë klub tjetër. Thonë se zëri është inçizuar dhe është futur në muzeun e FSHF-së me këtë tekst: “ Kjo shumë është hiçgjë. 3 fusha të Akademisë nuk vlejnë kaq para..”  Në kohën e krizës ekonomike, ku lëmosha ndaj eprorit shitet si trendi  i mbijetesës, Partizani ka shpërfillur zarfin që, tradicionalisht, është përdorur si kobure  që nuk del huq..

Sfidanti.al