Sindromi i futbollit që po çmëndet: në  8 ditë, 15 mëkate tek pika e bardhë!

S’ka dyshim, Luftetari, është ekipi më zbavitës dhe më aventuresk i kampionatit,  ndaj  edhe ndiqet si  viktima e preferuar e atyre që nuk kënaqen me topin, por me fatin e ekipeve .  Të “vritesh” në Korçë nga Skënderbeu është bukur, nëse armët janë të barabarta dhe loja ka nderin  që i takon, por, kur  në llumin e 90 minutave zhytet arbitri, në rastin konkret gjykimi liliput  i Sinos, atëherë duhet të falesh 11 herë tek “kisha jonë”.. pika e penalltisë.. Edhe në pishinë sikur të ishte hedhur sulmuesi Soue i Skënderbeut, siç ndodhi me episodin e 11 m, me siguri do të kishte vrarë barkun, ndersa kur hidhet në fushë.. “bie aq bukur”, sa arbitrave u duket sikur iu fryn vetë bilbili.  Kjo “mrekulli”  që ka ndodhur jo rrallë me Skënderbeun, bëhet edhe më pështjelluese kur dëgjon shpjegimin ‘psikologjik” të maviolistit Lorenc Jemini, tek “Procesi Sportiv”,  kur tha se ..Skënderbeu nuk i do këto lloj dhuratash, por janë arbitrat që duan të bëjnë bamirësi..

Në një kampionat ku penalltitë që dhurohen dhe ato që shpërfillen krijojnë një “katarakt”  shpërthyes statistikor, në harkun e 8 ditëve 15 raste flagrante kundersensi,nuk është çudi të besosh se filmi në fund do të jetë më hileqar, më dramatik dhe më i pabesë se ajo që përjetuam një vit më parë. Thonë se fantazma zyrtare, ajo që trukohet si arbitër në fushë, do të fusë në vallen e viktimave edhe një ekip tjetër, për të cilin paratregojnë se ka pamjen e Kamzës. Pale kur dëgjon  edhe fjalët depërtuese te donatorit të ekipit Mziu, kur godet me shuplakë  “burrat e sistemit” , ata për të cilët votoi me sy mbyllur më 7 shkurt, duke i vënë zjarr skedinës së ardhshme me fjalët : “ Ju që vini baste, mos humbni rastin fatlum me ndeshjen Teuta –Laçi…”

Sfidanti.al