Si po ju duket trajneri Silvinjo, pa filluar ndeshjet ?

Si ju duket si trajner i Kombëtares ,braziliani Silvinjo? Po ta bësh këtë pyetje brenda në FSHF, do të gjesh jo një apo dy, të cilët kanë rezerva për trajnerin e radhës. Dhe kanë të drejtë, kur trajneri vjen nga lart dhe jo nga poshtë, pra kur e cakton politika dhe jo presidenti i FSHF-së, Duka, na duket si një “ndeshje e trukuar”. Por kur këtë pyetje e hedh në popullin e futbollit, atje ku edhe opinionet komandohen , me gjuhën e basteve, do të thonim kjo “ndeshje” do të luhej me gola lart…

Si ju duket Silvinjo.. si trajner? Disa thonë se ka qënë futbollist i shquar, që ka luajtur në klube të mëdha. Sikur Silvinjo ka ardhur për të luajtur.. Madje, kjo të kujton holandezin Han, i cili sapo u pagëzua në stolin tonë, disa bënin 40 hapa larg portës, për të kujtuar golin historik të tij në portën e Xofit të Italisë. Por ka edhe më keq akoma: disa gjykojnë nga pamja dhe besojnë se trajneri brazilian..është ai që na mungonte.

Këto veset tona tradicionale, sepse na kujtojnë Edi Rejën, për të cilin thuhej qysh në prezantim “sa mirë për ne që erdhi babushi i Serisë A, me më shumë se 1000 ndeshje”. Po ata njerëz që i puthën dorën profesor Edit, si të kurdisur nga një dorë, tani e shkruajnë pa frikë diagnozën : Ja ku gaboi trajneri Edi Reja!

Nuk gabojnë kurrë ata që i zgjedhin trajnerët, gabimi është në kokën tonë ose në kokën e vetë trajnerit. Si ju duket Silvinjo? Tani jemi në “muajin e mjaltit” , ndaj edhe shumica e të intervistuarve, ishalla nuk janë të komanduar, besojnë se kemi gjetur njeriun e duhur, që për dreq do të bashkëpunojë me presidentin e gabuar. Pale sa t’i hyp nervat ky Silvinjo, që duket që vjen nga lart, kur thotë se ..askush nuk mund të tallet me Kombëtaren!

Sfidanti.al