Si me magji te  Vllaznia!  Dikur qahej ajo, tani qajnë ..rivalët për të!

Edhe pse ndeshja me Vllazninë ka mbaruar, në Kukës, akoma kanë frikë nga shkodranët.  Frikë nga qëndrimi i tyre në fushë kur të luajnë ndaj Partizanit, ku sipas disa deklaratave nga klubi i Kukësit,  ekipi i Cungut  nuk do të kërcasë dhëmbët si kundër tyre, por do të luajë me dorë në zemër ndaj demave. Është krejt normale që rivalët të luftojnë ndaj njëri tjetrit  me të gjitha armët,  në një garë ku askush nuk mund të mburret me kartën e ndershmërisë.  Vllaznia ka bërë një ndeshje lavdie në Zeqir Ymeri dhe çuditërisht sjellja e tyre e pakompromisë nuk është pëlqyer nga vendasit, të cilët e quajtën logjike  të gjykonin qëndresën e tyre, pa u ndalur tek dobësitë e veta gjatë 90 minutave.  Sigurisht, kanë meritë që nuk kanë humbur një ndeshje prej 27 javësh,  veç ky barazimi në shtëpi me shkodranët sepse pati një shije ..humbjeje.

Në një kampionat të mësuar me hir e me pahir me tradhëti dhe me aleanca,  të gjithë dyshojnë  tek “armiku” sidomos kur flitet për rivalët e titullit, për të cilët thonë se nuk u mjafton dita, por luajnë edhe natën. Kukësi i bie kambanës se Vllaznia  nuk do të jetë e frikshme si ndaj tyre, kur rrezikonte t’u vidhte 3 pikët, sa herë që  dilte në sulm.  Trajneri Cungu dhe kapiteni Shtubina janë të paret që  vënë dorën në zjarr dhe betohen  se edhe kundër “demave” do të luajnë  për tifozët e tyre dhe ..jo për tifozët e Partizanit. Sido që të jetë fati i ndeshjes në Loro Boriçi,  janë momente luksi për Vllazninë, kur disa javë më parë qahej se ndihej e vetmuar dhe e ndëshkuar pa të drejtë nga eprorët , kurse tani ka fatin e të fortëve të kampionatit  në dorë..

 

Sfidanti.al