Alvaro Morata di se cila do të jetë e ardhmja e tij, dhe përse!

Talent ka sa të duash, karakter padyshim dhe vjen nga një akademi e madhe si ajo e Realit të Madridit. Gjithsesi, këto karakteristika në CV nuk të bëjnë automatikisht titullar në klubin tënd të zemrës. Alvaro Morata, herën e parë, u dha hua tek Juventusi sepse ishte shumë i ri. Pasi shkëlqeu në Itali, u mor përsëi në “Bernabeu”, por sërish trajneri Zidan aktivizoi më shumë në sulm treshen BBC (Benzema, Bejl, Ronaldo). Morata u detyrua të priste një minutazh të kursyer për të treguar veten, ndonëse ka mesataren gol/minuta më të mirën tek Reali.

Spanjolli duket se është shumë i qartë se çfarë do të bëjë në të ardhmen, edhe pse nuk jep afate. Ai pëlqen sidomos një trajner të njohur europian dhe do të donte të luante për të. “Konte është trajneri që ka vënë më shumë “bast” për mua, – u shpreh ai, – edhe pse kurrë nuk më ka pasur në skuadrën e tij. Ai më mori tek Juventusi, por pastaj u largua tek Italia. Vjet, ai më deshi me patjetër tek Çelsi, ndaj le të ndodhë çfarë të ndodhë”.

Për një futbollist është shumë e rëndësishme kur trajneri ka besim tek ai. “Konte më njeh më shumë sesa mund të mendoj unë, – spjegon Morata, – jam i sigurt për këtë, dhe kjo është shumë e rëndësishme sepse kjo e motivon lojtarin që të punojë dhe të luajë fort”. “Jam i bindur se herët apo vonë, unë do të jem lojtar i një skuadre ku ai do të jetë trajner”, – përfundoi Morata intervistën e tij për gazetën britanike “Gardian” (The Guardian).

Sfidanti.al