Si avulluan 4 milionë euro për klubet? Vendi i magjisë…FSHF-ja

Një ditë të bukur, kur presidenti Duka, në rolin e mësuesit që vë nota, kur është pyetur për  raportet me gazetën “Panorama Sport” ka thënë: “ Një gazetë, që fjalën skandal e përdor shpesh”. Jo më kot e zgjodhëm këtë detaj, nga intervista që pat bërë shefi i futbollit, ku më e  bukura kishte qënë marrëveshja e tij me gazetarin: “Ti pyet për çfarë të duash, ndërsa unë do të përgjigjem për ato që dua vetë”.  Edhe ne po bëjmë një marrëveshje, në distancë, me shefin, pasi nuk do ta quajmë skandal, historinë me 4 milionë euro të dhëna nga UEFA për futbollin e moshave dhe që  s’dihen ku kanë shkuar. Fundja ka edhe një logjikë në favor të asaj që thotë Ai, se po ta pagëzosh skandal dhe atë që ndodhi me Izraelin, do të krijonim një inflacion të fjalës, sa detyrimisht do t’i binte edhe vlera, edhe lezeti.

Në një futboll të varfër, që të ardhmen e ka të prangosur në zyrat ku komandohet varfëria e tyre, nuk është skandal që të avullojnë 4 milionë euro. Nuk është skandal kur dyshohet për moralin e ekipit Kombëtar në ndeshjen e fundit. Nuk është skandal kur hija e trukimit,  qëndron sipër kokës si një çekiç. E dinin klubet shqiptare se në Federatë, me paratë e tyre bëhej dasmë, por, pas  lajmit të bujshëm për 4 milionë euro të pandara mes tyre, klubet kanë lidhur kokën me peshqir të lagur dhe mjaftohen me një “obobo”.  Për herë të parë e kanë kuptuar se cili është çmimi që paguajnë për mungesën e Ligës. Një portofol i mbushur me para është dorëzuar, është mirëbesuar tek ..vjedhësi. Loja me paratë është gjithnjë një spektakël hilesh, por, në versionin shqiotar, qënka tejet grabitqare. Dhe si do të ndodhte ndryshe? Është njëlloj sikur presidenti ynë i dashur t’ia lërë dikujt tjetër portofolin e tij..

Gezim Sinemati