Shtypet butoni i lumturisë : Kombëtarja pozon sikur mundi.. Francën!

Shikoni këtë foto për të kuptuar se butoni kuqezi sapo është shtypur,dhe të gjithë janë të lumtur, të mëdhenj e të vegjël, gati sa duket sikur nuk ishin këta personazhe që 3 ditë më pare sajuan largimin e Panuçit nga stoli dhe..të publikut të tyre nga stadiumi! Kombëtares i falen të gjitha llojet e sjelljes apo te veseve, sepse ka vite që roptohet që raportet e saj me kastën drejtuese të jenë besnike, ashtu siç duhet të ishin me publikun. Po pse plasi gjithë kjo lumturi, pas një ndeshje mikroskopike me Andorrën e vogël? Me Andorrën që u tregua me kujtesë të fortë, duke shlyer edhe “borxhin historik” me dy gola të dhuruar nga mbrojtja, siç kishim bërë ne, gati 17 vite më parë. Tani po bien daullet se ky ekip ka një talent të fshehur , që pak ekipe përfaqësuese e kanë, ngaqë kur flak një trajner të huaj, “dashurohet” brenda natës me trajnerët e improvizuar shqiptarë..
Falenderoj trajnerët Bulku dhe Mema për punën shumë të mirë 2 ditore që bënë ! Kjo frazë e shkëputur nga intervista e presidentit Duka, fill pas ndeshjes, meriton të futet në një kornizë, punë e madhe se mund të jetë në ngjyrë të zezë. Kemi përcjellur një ushtri me trajnerë të huaj, të cilët kanë punuar tërë këto vite, pa folur për milionat që janë rrokullisur më shpesh se topi, dhe jemi mbajtur si burra, pa falenderuar askënd! Këtë herë, ka ndodhur mrekullia kuqezi : trajnerët shqiptarë, ata që e kanë patur të ndalur të uleshin në stolin e Shqipërisë keto 17 vite , kanë fituar davanë vetëm për..2 ditë!

Sfidanti.al