Shqipëria është bërë me dy Kombëtare! Njëra luan me Europën dhe me Botën, tjetra, e sajuar vetëm për ndeshje speciale me ..sheikët ! Kombëtaren e madhe e kemi lindur në Europë dhe mburremi se kemi fluturuar edhe me dron për të shkuar në Europian. Tjetër është Kombëtarja e vogël, me të cilën nuk njihemi fare, por që ka lindur brënda shtëpisë së kampionatit. Dhe kjo, falë një lidhje të shpejtë, gati me shikim të parë me ..sheikët e Arabisë Saudite dhe, tani me ata të Katarit. Po t’i krahasosh të dyja, njëra harbohet duke prishur miliona euro në tokë e në qiell , kurse kjo tjetra , anonimja, po sjell para! Nuk ka rëndësi në xhepin e kujt shkojnë paratë, do të mbahet mend si “kombëtare telebingo” që në dy ndeshje fitoi ..1 milion dollarë!
Dy Kombëtare të një vendi të vogël, që bën sikur luan futboll, por më shumë të luan mendsh! Kur na shfaqet në fushë , Kombëtarja e madhe, biletat shiten si të ishin prej lëkure të shtrenjtë , madje sa më i lirë të jetë çmimi i lojës, aq më shumë e hamë ! Ndërsa kur luan Kombëtarja “prematurë”, kjo që po “nxjerr naftë” , nuk shiten bileta, as nuk ka televizione per trasmetim, madje dhe përrallën 90 minutshe na e tregojnë nastradinët e oborrit. Por, ky ekip fantazëm, ka një të mire të madhe: për çdo ndeshje i pjell gjeli …gjysmë milioni dollarë!
Pse mos ta kemi edhe këtë ekip? Nëse do ta mbajmë të ngrehur këtë gjoja perfaqesuese, s’ka gjë se trukohet me fanelën e Kombetares, siç po na e lë amanet edhe Edi Rej para largimit, s’do të ishte keq! U lodhëm me “yjet” që luajnë në Serinë A , në La Liga apo në Premier Ligë, për të cilët paguajmë qimet kokës..edhe për të dalë të fundit.
Sfidanti.al