Në një vënd ku sporti është më shumë lodër e drejtuesve sesa e vetë sportistëve, nuk bën dhe aq përshtypje fakti që ekipi Shpresa dhe përfaqësuesja e 19-vjeçarëve janë akoma pa trajner, në pritje që shefi i madh të zgjidhë enigmën e madhe. Thonë se Plaku i Vitit të Ri , bashkë me lodrat për fëmijë, do të sjellë edhe “lodrat e stolit” për presidentin Duka, që duket se vonesën e tejkaluar po e kthen në një rekord më vete. Dy ekipe kombëtare, ndihen të injoruara, kur shikojnë që javët kalojnë si varg rosash dhe nga selia e futbollit akoma nuk po del ..tymi i zi.
Italianët e Shqipërisë, De Biazi dhe Tramezani, ky i fundit edhe “kapiten” i ekipeve përfaqësuese, ata që sa herë dalin tek studiot e Rai-t nuk humbasin asnjë rast pa bekuar “revolucionin Duka” në futbollin tonë, as nuk e kanë shqetësim që stolat e dy ekipeve përfaqësuese janë zbrazur dhe ndihen të vdekur. Dyshja italiane që vetëlëvdohen duke bërë lista “talentesh” që do të kishin mbetur pa u zbuluar pa praninë e tyre, kur pyeten se kur do të mbërrijë trajneri i Shpresës, apo trajneri i 19-vjeçarëve, ka një përgjigje që kapërcen edhe servilizmin tradicional që ofrojmë ne: “ Shikojnë nga qielli, sikur presidenti Duka të ketë një zyrë pranë..Zotit”.
Më e bukura është kur trajnerët italianë që i kushtojnë arkës së Shqipërisë afro 50 mijë euro në muaj, që sjellin në FSHF edhe faturat e taksive që udhëtojnë, janë bashkuar me idenë “ekonomike”se janë kursyer shumë para sapo është ndërprerë rroga për trajnerin e Shpresës ( 2500 euro në muaj) dhe trajnerin e 19-vjeçarëve (1,5 milionë lekë të vjetra në muaj). Ja pra, besoheni, se italianët janë shumë nikoqirë kur flitet për paratë që do të merrnin..shqiptarët.
Gezim Sinemati