Për një çast mori rrugën pa kthim, por u mendua përsëdyti dhe bëri mbrapa. David Zhinola mund të mos ishte më në këtë botë, nëse goditja që mori në maj të këtij viti do të kishte vazhduar edhe ca. Ish-ylli i Francës dhe Premier Ligës pati një atak zemre ndërsa po luante një ndeshje bamirësie këtu e 6 muaj më parë, dhe siç e pohon vetë, u ndodh për 8 minuta në vdekje klinike.
“Unë nuk kisha puls, – u shpreh ish-lojtari i Totenhemit, Aston Vilës dhe Evertonit, – unë isha i vdekur”. Për momentin, futbollistët e tjerë menduan se ai po tallej, por më pas, njëri prej tyre thirri, “shikoni, ai është keq dhe nuk po bën shaka”. Shoku i skuadrës, Frederik Mendi, nxitoi për t’i dhënë ndihmën e parë, ndërsa ishin mjekët që përfundimisht e kthyen në jetë me një aparat defribilator.
Më pas, 49-vjeçari iu nënshtruar një operacioni bajpas të katërfishtë, duke arritur të shpëtonte më në fund. Zhinola ishte njëri nga figurat e mëdha të kombëtares së Francës në vitet 90-të, por nuk pati fat të luante në epokën e shkëlqyer të Zidanit, Blankut e Deshampit, kur “gjelat” fituan gjithçka. Zhinola paska qenë me fat sepse ataket kardiake i kanë marrë jetën disa futbollistëve.