Fjalët e trajnerit Daja pas ndeshjes me “zemër në dorë” në stadiumin e Durrësit nuk mund të rëshkasin si në vaj dhe të kalojnë para veshëve pa ndalur në parkingun e tyre: “ Nëse do të humbisnim me Teutën, atëhere do të ndodheshim para akuzave..” Rroftë goli në fund të ndeshjes, barazimi i artë që qetësoi shpirtërat e trazuar nga frika e një humbjeje të njoftuar me kambanë. Dashtë Zoti, goli në minutat e fundit ka qënë një shkrepje pa “leje”, si ato që tregonte me qesëndi trajneri Starova, kur një futbollisti të ri që po hynte në fushë si zëvëndësues, i kishin dhënë këshillën e jetës, se nuk duhet të qëllonte me top drejt portës sepse fatalisht, nganjëherë, e mbush shejtani! Nëse me të vërtetë ekziston shejtani në lojën tonë që shitet si argëtim, por më shumë është një tradhëtim 90 minutësh, askush të mos qahet për veprën e fundit.
Pale të mendosh se UEFA, asaj që dikur i kurdisëm dronin në Beograd, kur për herë të parë humbi “virgjërinë” me një klient që as nuk e kishte në refene, po na ndjek me dron sipër kokës . Ndofta ne na duket si dron, ngaqë halli dhe frika dobësojnë edhe shikimin, por ajo që duket si dron sipër kokës, mund të jetë edhe ..gijotinë. Për gjithë futbollin shqiptar që “hedh valle në gojë të ujkut”, apo vetëm për Skënderbeun, ekipin që e teproi shumë kur futi dorën edhe në xhepin ku UEFA mban zakonisht portofolin? Sido që të ndodhë, edhe Skënderbeu i futbollit, ashtu si heroi i madh prej të cilit ka marrë emrin, ka filluar të kuptojë se në lojën e tradhëtisë,.. të fituar dalin “Hamzajtë”. Kaq të fituar me art dhe ligësi , sa edhe raporti intim dhe “vrasës” i çunave fair-play të UEFA-s për Skënderbeun, kishte kapur miun, por kishte lënë të lirë..ariun!
Sfidanti.al