Rrokulliset  graviteti : ishim krenarë për Rejën, tani krenar është Reja !

Bjellorusia është ulur në gjunjë, Shqipëria është ngritur në këmbë. Të paktën , kjo vetëm për 90 minuta. Dhe , për hir të vërtetës,  në pjesën e dytë patëm frikë se shkoi  si përherë, kur na  këputet llastiku…  Ajo që ndodhi, nuk pritej, madje i befasuar është edhe vetë trajneri Edi Reja  sa  “zvogëlohet” para nesh :  “Ndihem krenar që jam pjesë e kësaj skuadre”.  Kanë mjaftuar dy gola në Bjellorusi, i pari i Cikalleshit, pjesë e veprës së tij para portës kur godet   me art, kurse i dyti i pabukur nga ana etike, por shpërblyes për këmbënguljen e Bares,  për të ndryshuar “gravitetin” e peshave  në Kombëtare. Kur Edi Reja vuri këmbë në tokën kuqezi,  në recetën e euforisë  zyrtare reklamohej  se ..” Është fat për Kombëtaren tonë të ketë një trajner si Edi Reja”.

Edhe pse bjellorusët mund t’u shkojë mendja se futbollistët e tyre nuk e kishin mëndjen tek ndeshja,  por prisnin mbarimin e saj, për t’u bashkuar me protestat, kjo fitore për Kombëtaren është vetë një lloj “proteste” për  ato që kanë ngjarë në vazhdimësi. Pse, a nuk ishte frikë në pjesën e dytë , kur skena e ndeshjes ndryshoi  kryekeput ,  me bjellorusët që u tjetersuan  dhe ne që i dorëzuam frerët  e lojës pa teklif, siç na e do zakoni i vjetër. Por,  pastë uratën fati..  erdhi ai goli i Bares , që ne të harrojmë shumë gjëra nga pjesa e dytë.

Nuk duhet harruar edhe Cikalleshi, jo vetëm për atë që di të bëjë kur merr në “këmbë” e jo në dorë, telekomandën,  por edhe për atë që “godet”  pas ndeshjes. “ Kujdes nga Lituania, sepse ne vuajmë me ekipet e vogla!” . Kjo psikozë deliri  është një mrekulli shqiptare,  ku mendja na lajthit  se jemi ekip i madh, dhe të vegjëlit si Andorra apo të tjerë liliputë.. kërkojnë të na prishin punë. Kur Shqipëria luan me të “vegjëlit” , siç do të luajmë pas dy ditësh me Lituaninë, më shumë frikë kemi se mos tradhëtojmë veten ..sesa të na bëjë gjëmën  “armiqtë e vegjël”..

Sfidanti.al