Rrokada e shefave: Rama me fermerët, Duka me ..sheikët!

Ka ndodhur rrokada e madhe e shefave ! Shefi i madh fliste si shef i vogël dhe shefi i vogël, fliste si ..shef i madh! Më konkretisht: kryeministri Rama ishte në takim me fermerët për hallet e bujqësisë ,ndërsa presidenti Duka , vazhdon takimet me ..sheikët, për hallet e tyre ! Pas ndeshjes “bunker ” me Arabinë Saudite, fill takimi me ambasadorin e Katarit, Ali Bin Hamad. Interesant është fakti se si shefat, ai i topit të politikës,Rama dhe ai i topit të shfryrë,Duka, dukej sikur kishin ndërruar rolet, të paktën për një “natë”…

Presidenti Duka , tamam sikur të ishte i madhi e jo i vogli, tregon bisedën me Ambasadorin e Katarit , ku , pa pikë frenash modestie, vetpohon se “më informoi se si po shkojnë përgatitjet për Botërorin e Katarit”. Mos e dëgjuam gabim? Po ta kthesh pas disa herë kasetën, të duket sikur s’po flet një president federate lilipute futbolli, as edhe një anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s( pasi botërori është pronë e FIFA-s) , por një zot i pushtetshëm, që edhe sheikët e Katarit japin llogari për përgatitjet e fundit të Botërorit!

Dhe, siç e do politika dhe aspak futbolli, ngaqë shefi ynë po vdes që të luajë rolin e një udhëheqësi politik, presidenti Duka i dha kënaqësinë ambasadorit z.Ali Bin Hamad, duke e njohur me bëmat e fundit në futbollin e fëmijëve, “projektet e guximshme” , që në letër vlejnë miliona , kurse në fushë janë si kacidhe… “ topi yt” apo “uniforma ime”. Shyqyr zotit, që ambasadori është mik i mirë i FSHF-së , sepse ndryshe do t’i propozonte : pse nuk bëni dhe një projekt tjetër, “çesma ime”, që fëmijët të kenë dhe një vend ku të lahen…

Sfidanti.al