Rroga me listë, as futbolli nuk mund të mos jetë “Made in Albania”

Dikur, në kohën e Zogut, mësuesit merrnin një pagë normalisht të mirë, por ndodhte që merrnin borxh, pasi jo rrallë u jepej një herë në gjashtë muaj. Dekada më vonë, në kohën e Enver Hoxhës dhe të Ramiz Alisë, gazetat ishin plot tituj për realizimin e planit në bujqësi, ndërsa njerëzit blinin me tallona nëpër shitore.

Sot, në fundvitin 2018, ndërsa bie lodra për lavdinë dhe suksesin e futbollit, lojtarët e Superligës po presin të marrin rrogat me listë. Ultimatumi i Flamurtarit ishte thjesht një dëshmi më shumë për theqafjen që kanë marrë klubet, që në shumicën e emrit vetëm emrin kanë klube.

Në Vlorë, problemi ka nisur që në janar, në Korçë u la stërvitja një ditë për paralajmërim, tek Tirana e tregojnë rezultatet, për Luftëtarin nuk ka nevojë të shpenzojmë fjalë, e po kështu janë Kamza apo Kastrioti.

Futbolli nuk mund t’i shpëtojë realitetit shqiptar, një vendi të varfër, jashtë tregut ballkanik dhe europian, dhe një populli ende tepër individualist e nepotik për të qenë pjesë e epokës bashkëkohore. Dikur, kur Enver Hoxha bënte reformën agrare (një gjë të madhe), një fshatar i zgjuar i tha zyrtarit të shtetit: “Po ia marrim tokën beut, që ta bëjmë të varfër si ne”. Fshatari kishte të drejtë, sepse fshati nuk kishte nevojë për një të varfër më shumë, por për më shumë mirëqenie.

Kështu edhe presidentët e klubeve tona që mburren se japin rroga më shumë se në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi apo diku tjetër, që janë shpëtimi i futbollit, por e vërteta është krejt e kundërta.

Sfidanti.al