Kurrë më parë nuk kishte ndodhur që kur të përballeshin dy perandori në futboll si Reali i Madridit dhe Bajerni i Mynihut , fatin e ndeshjes ta përcaktonte “djalli”, apo me një shpjegim më tokësor.. pazotësia e një arbitri që meriton të kujtohet me frikë në nivelet e larta. Arbitri Kasai ka guxuar shumë, madje ka tejkaluar orbitën e gabimeve të lejuara, duke tjetërsuar edhe trajnerin më të qetë në Botë, në një “vullkan” që zien nga brenda. Trajneri Ançeloti e ka përjetuar dramën spanjolle me një shtrëngim në zemër: nga iluzioni i përmbysjes së Bajernit të tij, kur kryesonte në “Bernabeu” me meritë 1-2, tek një fund tragjiko-komik me 4 gola, të cilët nuk ishin vetëm meritë e ‘diktatorit” të golave, Ronaldo. Maviola “pikon” gjak bavarez, madje 2 gola të Realit nuk morën bekimin e Zotit dhe kartoni i verdhë i dytë, ai që flaku nga ndeshja Vidalin,”grali i ndeshjes”, ishte një shpikje e padenjë për një superndeshje që u vra mu në zemër të tempullit me emrin e lavdishëm ..Bernabeu.
I kanë bërë një pyetje me helm Zidanes në fundin e ndeshjes, i cili mbetet një kampion i madh edhe kur ‘djalli me bilbil” mendon për ta shtyrë më shumë ruletin e fatit të tij: cili ishte heroi i vërtetë i ndeshjes Ronaldo me 3 gola apo arbitri Kasai, i cili me vendimet e tij ka paralizuar edhe mëndjen e gjithë atyre që votonin kundër maviolës në fushë? Sa ironike ngjarjet, kur kujton se edhe vetë trajneri Karlo Ançeloti ishte një nga besimtaret kundër maviolës, që fill pasi preku fundin e detit në “Bernabeu” ka korrigjuar bindjen me stilin e tij lakonik: “ Nuk kam qënë kurrë për maviolën në fushë, por u dashka paguar një çmim shumë i shtrenjtë për të ndryshuar mendim..”
Sfidanti. al