Ndonjëherë trajnerët janë të çuditshëm dhe nuk bën përjashtim as Luis Enrike. Qartësisht për t’i motivuar lojtarët e tij, dhe për t’i bërë që të kenë besim absolut, tekniku i Barcelonës u shpreh se ndaj Juventusit nuk duhet aspak ndonjë mrekulli. “Natyrisht nuk jemi në situatën ideale, do të kisha dashur pak më shumë pushim për lojtarët, por gjithsesi, ja ku jemi, – shprehet asturiani, – nuk e quaj veten të eleminuar, në fund të fundit nuk do të na duhen 5 apo 6 gola si ndaj Paris SG, por vetëm 3 për të shkuar në shtesë. Barcelona është mësuar të shënojë 3 gola edhe në 3 minuta, atëherë përse ta quajmë veten të ikur para kohe?”
Luis Enrike pranon se do të duhet një ndeshje shumë e madhe për t’ia dalë, ashtu siç thotë edhe Andres Iniesta. “Duhet të ngremë në këmbë stadiumin, – thotë trajneri, – duhet të shfaqim cilësitë tona më të mira, dhe të mos lejojmë që Juve të shfaqë cilësitë e veta, që për fat të keq, janë shumë”. Iniesta pohon se “kemi mundësi për përmbysje, edhe pse Juventusi nuk pëson gol lehtë”.
Përgjigja e Maks Alegrit nuk ishte aspak diplomatike, dhe as e druajtur. Në fund të fundit, ai është ish-nënkampion i Europës, dhe një nga favoritët e trofeut. “Dobësinë në mbrojtje të Barçës e pamë në Torino dhe nuk besoj se u zhduk për një javë, – shprehet trajneri juventin, – do të këmbëngulim në këtë aspekt, për të bërë të paktën një gol”. Veçse, Alegri ka një kusht për lojtarët e tij: “Duhet të harrojmë fitoren 3-0 të ndeshjes së parë dhe të jemi të përqëndruar, të kthjellët dhe gjakftohtë, pasi vetëm kështu mund të kualifikohemi”.
Sfidanti.al