Dani Alvesh pritet si në shtëpi, një tifoz i Barçës kundër zemrës!

Ka qenë një nga më të mëdhenjtë e të gjitha kohëve që ka luajtur në “Kamp Nou”. Si shumë të tjerëve, edhe Dani Alveshit i erdhi radha të vihej kundër së kaluarës, tashmë me fanelën bardhezi në trup, dhe atë “blaugrana” në trupin e kundërshtarëve. Veçse, kundërshtarë që kanë qenë shokët me të cilët ka fituar gjithçka. “Pa diskutim jam tifoz i Barcelonës, – thotë braziliani, – por, duhet që profesionisti t’i mposhtë ndjenjat. Emocionet janë të mëdha që kthehem në këtë që është shtëpia ime, që shkel sërish barin e “Kamp Nout”. Katalanasit për mua janë të veçantë”.

Dani Alvesh flet qartë dhe prerë sesi e sheh ndeshjen. “Juventusit nuk i jap më shumë se 60 për qind, ndonëse kemi fituar 3-0, – thotë ai, – e di se ndeshjet në “Kamp Nou” mund të jenë shumë të veçanta dhe shumë të gjata. Juventusi duhet të shënojë”. Largimi i veteranit nga klubi u bë me polemika. Si është gjendja tani, ndoshta ka ndryshuar diçka dhe, ku i dihet, ai mund të kthehet! “Le të mos e teprojmë, – pret shkurt Dani, – që të ndodhë, duhet të ndryshojnë shumë gjëra, përfshi edhe egon time. Pastaj disa personave nuk do t’u pëlqente, dhe nuk besoj se do të pranojnë se kanë gabuar me mua”.

Sfidanti.al